Bashkëqytetarët e kroatit të rrëmbyer shpresojnë në lirimin e ti

Prindërit e Salopekut të rrëmbyer shmangin deklarata para mediave.

Bashkëqytetarët e kroatit të rrëmbyer shpresojnë në lirimin e ti

Para shtëpisë së kroatit Tomislav Salopek, punonjësit të një kompanie franceze të cilin më 22 korrik në rajonin e Kajros e kanë rrëmbyer pjesëtarët e organizatës terroriste DAESH, në fshatin Vrpole, në afërsi të qytetit Gjakovo në lindje të Kroacisë, herë pas here mblidhen banorët me shpresën se bashkëqytetari i tyre, i cili ndodhej në Egjipt me punë, të jetë liruar.

Prindërit e Salopekut të rrëmbyer shmangin deklarata para mediave.

Ndërkohë, fati i të rrëmbyerit Tomislav Salopek është akoma i paqartë.

Të mërkurën në mesditë DAESH kishte publikuar një video incizim ku Salopek, pranë një mashkulli të maskuar, i ulur në gjunjë lexon lajmërimin se do të vritet nëse autoritetet e Egjiptit në afat prej 48 orësh nuk i lirojnë myslimanet që gjenden në burg.

Në video nuk është specifikuar koha kur ka filluar numërimi.

Shërbimet egjiptiane të Sigurisë intensivisht janë në kërkim të të rrëmbyerit Salopek edhe pas skadimit të ultimatumit, të cilin e dha DAESH për të kursyer jetën e tij, ndërsa mediat egjiptiane raportojnë se ekziston mundësia që ultimatumi të zgjatet për 48 orë të tjera.

Bashkëshortja e Tomislav Salopekut gjatë kësaj jave kishte udhëtuar në Kajro së bashku me ministren Pusiç, e cila në bashkëpunim me qeverinë egjiptiane përpiqet të ndihmojë në lirimin e bashkështetasit të saj.

Zëvendëskryeministrja e parë dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane e Kroacisë, Vesna Pusiç, pas një sërë bisedimesh, në mes tjerash edhe me Ministrin e Jashtëm egjiptian, të premten u kthye në Kroaci.

Qeveria e Kroacisë dhe Ministria e Jashtme e këtij vendi vazhdojnë përpjekjet për të zgjidhur rastin e shtetasit të rrëmbyer kroat.

Për shkak të ndjeshmërisë së situatës, në këtë çast nuk mund të zbulohen informacione më të detajuara, kanë thënë nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Të premten u përfshi edhe presidentja e Republikës, Kolinda Grabar Kitaroviç e cila pati një bisedë telefonike me homologun egjiptian al-Sisi. Grabar Kitaroviç deri tani nuk ka zbuluar para mediave detajet e bisedës.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme