Maqedoni – Përmbytjet shkaktojnë pesë viktima dhe 11 të plagosur

Pesë persona kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë janë lënduar nga vërshimet dhe stuhia e fuqishme, që goditën të hënën rajonin e Tetovës në Maqedoni.

Maqedoni – Përmbytjet shkaktojnë pesë viktima dhe 11 të plagosur

Katër nga viktima janë fëmijë të fshatit Shipkovicë dhe një i moshuar nga Reçica e Madhe. Shiu i rrëmbyeshëm ka shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale.

Sipas zëdhënësit të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, Marjan Josifovski, trupat e personave të pajetë janë gjetur, ndërsa si e zhdukur llogaritet një vajzë gjashtëvjeçare nga Shipkovica.

"Të lënduar tani për tani janë 11 persona, më së shumti nga Shipkovica, Sellca, Xhepçishti dhe Reçica e Vogël. Një pjesë e tyre ende janë në mjekim spitalor, ndërsa disa janë lëshuar në shtëpi", tha Josifovski.

Në Tetovë janë dëmtuar automjete nga rënia e degëve, pemëve dhe sendeve. Ende paraqiten dëme të shtëpive dhe objekteve të marra nga rrëshqitja e dheut.

Siç informon policia, edhe Ura e Vratnicës, Orashe dhe Nerashte janë përfshirë nga përmbytjet.

Reshjet e shiut kanë qenë aq të fuqishme sa që kanë mjaftuar 15 minuta që Lumi Shkumbin të dalë nga shtrati dhe të vërshojë tërë qytetin. Pas daljes nga shtrati të lumit, shumë banorë, që jetojnë pranë lumit, në panik i kanë lëshuar banesat dhe shtëpitë e tyre.

Rrëshqitjet e dheut të shkaktuara nga shiu, kanë bllokuar edhe rrugën, që të çon në Brodec dhe në disa fshatra të tjerë të Malësisë së Tetovës.

Gjendja më e rëndë paraqitet në zonat malore, ku fshatra të tërë mbeten të izoluar për shkak të bllokimit të rrugëve nga drunjtë dhe gurët.

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, ka formuar shtabin e krizës për të koordinuar aktivitetet në ndihmë të popullatës së goditur nga vërshimet, ndërsa në drejtim të zonave të goditura kanë shkuar edhe ekipe të zjarrfikësve nga Shkupi, por edhe ekipe të tjera për rastet e krizave.

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim po punon në terren dhe apelon deri te banorët e rajonit të Tetovës të zvogëlojnë frekuentimin e lëvizjes, në veçanti të ulin frekuentimin me makina me qëllim që makineritë të punojnë më lehtë për pastrimin e rrugëve.

Kryeministri Nikolla Gruevski mbrëmë urgjentisht ka udhëtuar për në Tetovë, prejse qyteti ishte përfshirë nga moti i keq. Ai vizitoi Reçicën e Madhe, ku dëmet nga përmbytjet janë të mëdha. Ka bërë kontroll direkt në terren, ka biseduar me autoritetet vendore dhe qytetarët, ndërsa pastaj ka shkuar në Spitalin e Tetovës, ku janë shtruar personat e lënduar nga përmbytjet.

Qeveria e Maqedonisë sot do të mbajë një mbledhje të jashtëzakonshme për të shqyrtuar gjendjen në zonat e përmbytura, teksa pritet të dalë edhe me masa në ndihmë të popullatës së rrezikuar.

 

TRT Shqip - Nazmie Pacolli, Shkup.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme