Mustafa-Nuland: Kosova e aftë të vendosë për të ardhmen e saj

Victoria Nuland, ndihmëse e sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, për çështje të Evropës dhe Azisë, dje pasdite në Prishtinë zhvilloi takime të veçanta me parinë e shtetit të Kosovës.

Mustafa-Nuland: Kosova e aftë të vendosë për të ardhmen e saj

- Haradinaj në takim me Nuland: Mirënjohje dhe respekt për SHBA-të -

Edhe Kryetari i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, për takimin me Ndihmëssekretaren e Shtetit të SHBA-ve, Victoria Nuland, ka njofuar në mbrëmë në "Facebook".

"Sot pata nderin të pres në takim ndihmëssekretaren amerikane të Shtetit, Victoria Nuland. Mirënjohje dhe respekt për punën dhe angazhimin e Nuland. Mirënjohje dhe respekt për SHBA-të", është shprehur Haradinaj.

- Nuland intervistë për RTK-në: Më mirë themelojeni vet Specialen sesa Kombet e Bashkuara -

Ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë qenë shumë të zhgënjyera kur nuk janë votuar ndryshimet kushtetuese, që i hapin rrugë themelimit të Speciales.

Në një intervistë për RTK-në, Nuland tha se themelimi i Gjykatës Speciale do të ndihmojë edhe SHBA-të në mënyrë që Kosova të ecë përpara.

"Është shumë me rëndësi që të themelohet Gjykata dhe shpresoj se do të ketë edhe një votim tjetër për këtë para pushimeve verore", ka thënë Nuland.

Ajo po ashtu ka thënë se nëse Kosova nuk e krijon vet Gjykatën Speciale, atë do ta bëjë OKB-ja dhe se marrëdhëniet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare mund të vihen në pikëpyetje

"Ne nuk duam që të ndodhë kjo, sepse ne duam që Kosova të ecë përpara me Evropën dhe me neve", ka thënë Nuland.

Ajo ka folur edhe për korrupsionin si dhe dialogun me Serbinë.

Nuland tha se nëse Kosova dëshiron që të ketë investime nga jashtë, atëherë duhet të luftohet korrupsioni.

Zyrtarja amerikane ka folur gjithashtu për terrorizmin, ku, sipas saj, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim.

- Shtypi: Nuland merr premtime për themelimin e Speciales -

"Nuland merr premtime për themelimin e Speciales”, është një nga kryetitujt e shtypit të sotëm të Prishtinës.

"Presidentja Jahjaga, Kryeministri Mustafa dhe Kryetari i Kuvendit, Veseli, i kanë premtuar ndihmëssekretares amerikane të Shtetit, Victoria Nuland, se Kosova do ta themelojë vetë Gjykatën Speciale”, thekson shtypi i sotëm kosovar.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme