Merkel sot në Tiranë, shans në marrëdhëniet Shqipëri-Gjermani

Kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel, do të vizitojë sot Tiranën në kuadër të një turneu ballkanik.

336674
Merkel sot në Tiranë, shans në marrëdhëniet Shqipëri-Gjermani

Kjo është vizita e parë zyrtare që një Kancelar i Republikës Federale të Gjermanisë zhvillon në Shqipëri. Vizita pritet të jetë një shans, që do të sjellë një zhvillim të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe politik mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.

Gjithashtu, vizita e zonjës Merkel shënon një moment të veçantë edhe në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, qoftë në kuadrin e politikave rajonale dhe integruese përmes procesit të Berlinit, qoftë në fushën ekonomike dhe tregtare.

Ja agjenda e vizitës së Merkel në Tiranë:

Kryeministria ka publikuar agjendën e vizitës zyrtare në Tiranë të Kancelares së Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel.

Merkel pritet të mbërrijë në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit rreth orës 13.30.

Rreth orës 14.15 Kancelarja gjermane do të mbërrijë në selinë e qeverisë shqiptare, ku do të zhvillohet edhe ceremonia zyrtare e mirëseardhjes. Në orën 15.40 – 16.10 do të jetë konferenca e përbashkët për shtyp.

Ndërsa rreth orës 17.00 – 18.00, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel, i drejtohen me fjalime Konferencës Ekonomike, që do të mbahet në Tiranë.

Vizita e Kancelares Angela Merkel në selinë e qeverisë shqiptare

14.15 Nis Ceremonia Zyrtare e Mirëseardhjes

15.40 – 16.10 Konferenca e përbashkët për shtyp

17.00 – 18.00 Kryeministri Rama dhe Kancelarja Merkel i drejtohen me fjalime Konferencës Ekonomike.

Konferenca Ekonomike Gjermano-Shqiptare

12.00 – 13.45 Zhvillohen dy panele në Konferencën Ekonomike Gjermano–Shqiptare, që do të mbahet në ambientet e "Tirana Business Park".

15.00 – 18.00 Nis sërish Konferenca Ekonomike Gjermano-Shqiptare.

Vizita e Merkel në Tiranë, policia masa të rrepta sigurie

Në kuadër të vizitës zyrtare, që Kancelarja Angela Merkel do të zhvillojë sot në Shqipëri, policia e kryeqytetit ka marrë një sërë masash për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike.

Në njoftimin për shtyp, Drejtoria e Policisë së Tiranës bën të ditur se në disa segmente rrugore do ketë bllokime të qarkullimit të mjeteve dhe kufizime, duke nisur nga ora 10.30 e paradites.

Sipas policisë, nga ora 10.30-14.30 nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve nga Rinasi për në Kashar (sensi tjetër do vazhdojë normalisht), ndërsa nga ora 13.30-14.30 segmenti rrugor nga Superstrada Vorë – Tiranë, duke filluar nga mbikalimi i Kasharit – mbikalimi Kamëz dhe rrugët dytësore, do të jenë të bllokuara.

Më tej sqarohet se bllokim do të ketë edhe në segmentin rrugor nga mbikalimi Kamëz – Sheshi “Shqiponja” – Rruga e “Durrësit”, ndërsa në segmentin rrugor Sheshi “Skëndërbej” – Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”- Sheshi “Nënë Tereza”, rrugët lidhëse me to, nuk do të lejohet parkimi i mjeteve dhe do të bllokohet në momente të caktuara.

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve, që në këtë ditë, nga ora 12.00 deri në orën 19.00, të shmangin qarkullimin me mjet në këto akse rrugore.

Këshillohen qytetarët të evitojnë lëvizjen me mjete në këto rrugë, ose të përdorin rrugën e vjetër Ndroq. Kërkojmë mirëkuptimin e medias dhe ndihmën e saj në sensibilizimin e komunitetit.

Gjermania, donatori më i madh ndër vendet e BE-së në Shqipëri

Aktualisht, Republika Federale e Gjermanisë është donatori më i madh ndër vendet e Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Gjithashtu, nga pikëpamja e volumit tregtar, Gjermania në vitin 2014 renditet si partneri i pestë tregtar më i madh me Shqipërinë.

Sipas Kryeministrisë, në vitin 2014, në Shqipëri operuan 146 ndërmarrje gjermane dhe të përbashkëta shqiptaro-gjermane, nga 121 që ishin në vitin 2010, duke pësuar një rritje me mbi 20%.

Gjithashtu, volumi tregtar me Gjermaninë në vitin 2014 ishte rreth 40,2 miliardë lekë (287 milionë euro), duke shënuar një rritje prej rreth 29% në krahasim me vitin 2010.

Vizita e Kancelares Merkel, Kryeministria ndryshon pamje

Hollit Kryeministror, tërësisht të transformuar pas një rikonstruksioni të plotë, po i jepet dora e fundit e përgatitjeve për të mirëpritur Kancelaren Angela Merkel dhe pas kësaj vizite do të jetë i hapur edhe për publikun.

Ka përfunduar ndërtimi i bibliotekës, ku publiku do të ketë akses. Në të djathtë të Hollit Kryeministror janë ekspozuar materiale të prodhura gjatë totalitarizmit për t’i sjellë në vëmëndje të publikut dhe në të njëjtën kohë të ruajë kujtesën tonë kolektive. Pjesës ballore të Kryeministrisë nga jashtë i është shtuar një tendë e ndriçuar, ndërsa në pjesën anësore është vendosur një monument në formën e kërpudhës.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme