Senol Goka: TRT-ja nuk do të largohet kurrë nga Ballkani

Drejtori i përgjithshëm i TRT-së Senol Goka, në vizitë në Maqedoni, bëri deklarata për kanalin TRT Avaz. Goka u ndal tek rëndësia e qëndrimit në Ballkan gjatë muajit të bekuar të Ramazanit dhe sqaroi se TRT-ja nuk do të heqë dorë kurrë nga Ballkani.

334528
Senol Goka: TRT-ja nuk do të largohet kurrë nga Ballkani

Përgjatë gjithë muajit të bekuar të Ramazanit, në ekranet e kanalit TRT Avaz transmetohet emisioni me titull “Ramazani në Ballkan”.

Në këtë emision u kushtohet vend aktiviteteve në shumë vende ballkanike që nga Shqipëria në Maqedoni dhe nga Bosnjë-Hercegovina në Kosovë.

Këto aktivitete, që organizohen falë kontributit madhor të Bashkisë Bajrampasha të Stambollit, ndiqen me interes të lartë në Ballkan.

Drejtori i përgjithshëm i TRT-së, Senol Goka, i cili gjatë kontakteve të tij në Maqedoni bëri një sërë deklaratash për kanalin TRT Avaz, tha se qëndrimi në Ballkan gjatë muajit të bekuar të Ramazanit sjell me vete ndjenja të veçanta.

“Ballkani është një hapësirë gjeografike pak e trishtuar, prandaj në këto anë kuptohet shumë më mirë begatia dhe entuziazmi i Ramazanit. Sepse ky trishtim mbart njëherësh edhe shpresë. Duke qenë kështu, edhe pse për pak ditë, jetesa e Ramazanit në Ballkan më bën të ndihem me të vërtetë edhe i mrekulluar, edhe i emocionuar, edhe i trishtuar, por edhe me shpresë. I trishtuar sepse do të largohem, por me shpresë për të ardhur sërish në këto treva. Me lejen e Zotit do të vijmë edhe shumë herë të tjera, në Ramazan dhe periudha të tjera të vitit, sepse njerëzit këtu jetojnë në një hapësirë gjeografike të mrekullueshme dhe bukuritë e kësaj natyre janë pasqyruar edhe tek njerëzit e saj. Më pëlqen vërtet shumë ta shoh këtë hapësirë gjeografike dhe thith ajrin e saj”, tha drejtori i përgjithshëm i TRT-së.

Ndër të tjera, Goka nënvizoi se roli i TRT-së në Ballkan do të rritet gjithnjë e më tepër.

“Mbi të gjitha më duhet të them se TRT-ja është e pranishme në Ballkan dhe nuk do të heqë dorë kurrë nga këto treva. TRT-ja nuk do të largohet asnjëherë nga Ballkani. Gjithçka gjen në Ballkan, TRT-ja do t’ua përcjellë njerëzve të Anadollit dhe më gjerë atyre të vendeve përreth. Këtë ngjashmëri të Ballkanit, këtë ngrohtësi dhe entuziazëm të Ballkanit do ta jetojmë dhe jetësojmë reciprokisht, madje do ta paraqesim e promovojmë në Anadoll e më gjerë”, shtoi kreu i transmetuesit publik turk.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme