Merkel, Kancelarja e parë gjermane në vizitë zyrtare në Shqipëri

Vizita, që Kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel, do të zhvillojë në Tiranë më datë 8 korrik, do të jetë vizita e parë zyrtare që një Kancelar gjerman zhvillon në Shqipëri.

Merkel, Kancelarja e parë gjermane në vizitë zyrtare në Shqipëri

Drejtori i Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga, sqaroi për mediat se vizita e vitit 1999, kur Tiranën e vizitoi Kancelari Gerhard Schroeder, 12 vjet pasi u lidhën marrëdhëniet diplomatike midis Republikës Federale të Gjermanisë dhe Shqipëri, nuk konsiderohet si vizitë zyrtare e një Kancelari gjerman në Tiranë, duke qenë se ishte pjesë e një delegacioni.

Fuga u shpreh se në rreth 4 orë e 30 minuta të vizitës, që Kancelarja Merkel do të kalojë në Tiranë, do të ketë takim dhe konferencë të përbashkët me Kryeministrin Edi Rama, takim me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani dhe do të vizitojë "Tirana Business Park".

Kancelarja gjermane do të mbërrijë në orën 13:50 në Aeroportin e Rinasit. Më pas do të drejtohet në Kryeministri, ku do të pritet me ceremoninë në sheshin përpara Kryeministrisë dhe do të zhvillohen takimet kokë më kokë me Kryeministrin Rama dhe takimet mes dy delegacioneve. Rreth orës 15:30 pritet të mbahet konferenca e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Rama dhe Kancelares Merkel.

Më pas, në orën 16:10, Kancelarja Merkel do të pritet nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ku do të ketë një takim të përbashkët.

Në vijim, nga ora 17:00 deri në orën 18:00, Kancelarja Merkel do të vizitojë parkun e biznesit, "Tirana Business Park", që është projekti më i madh privat gjerman në Shqipëri, një investim i kompanisë “Lindner Group”, që arrin në vlerën 100 milionë euro. Në këtë aktivitet, ku do të marrin pjesë biznese të rëndësishme nga të dy vendet, do të ketë një fjalë përshëndetëse të Kancelares Merkel dhe Kryeministrit Rama.

Sipas Drejtorit të Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga, kjo vizitë e Kancelares Merkel duhet parë në dy plane, politik dhe ekonomik.

Vizita në Tiranë e Kancelares gjermane, Angela Merkel, vjen pas ftesës, që Kryeministri Rama i bëri gjatë vizitës së tij në Berlin vitin e shkuar, ku ajo premtoi që do të vizitonte Tiranën. Ky takim do të shënojë takimin e tretë mes Kancelares Merkel dhe Kryeministrit Rama, pas dy të parëve të mbajtur në Berlin vitin e shkuar.

Integrimi rajonal do të jetë një çështje kryesore në vizitën e Kancelares Merkel në Tiranë, ku edhe në kuadër të Konferencës së Berlinit, Gjermania, e cila vitet e fundit ka rikthyer vëmendjen nga Ballkani, e sheh Shqipërinë si një partner të rëndësishëm gjeopolitik në rajon.

Ndërsa në rrafshin ekonomik, ky takim do të jetë një mundësi e mirë për t’i bërë një minibilac arritjeve të deritanishme dhe çuarjen më përpara të angazhimeve, që u morën në Konferencën Rajonale të Berlinit gushtin e kaluar.

Duke pasur parasysh se në fund të muajit gusht do të zhvillohet edhe Forumi Ekonomik i Vjenës, që është vijimi i atij të mbajtur në Tiranë në muajin maj, diskutimet mbi situatën ekonomike do të kenë mjaft rëndësi.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme