Varoufakis: Do t'i drejtohemi drejtësisë për shmangien e Grexit

Ministri grek i Financave, Yanis Varoufakis, konfirmoi se Greqia do t’i drejtohet drejtësisë për të shmangur përjashtimin nga eurozona nëse asnjë kompromis nuk arrihet, njoftoi sot një e përditshme britanike.

Varoufakis: Do t'i drejtohemi drejtësisë për shmangien e Grexit

“Athina do të përdorë të gjitha të drejtat juridike, që ka në dispozicion”, deklaroi Varoufakis sipas “Daily Telegraph”.

“Ne do të marrim këshilla dhe do të shqyrtojmë disa mundësi për një urdhër para Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian. Traktatet evropiane nuk parashikojnë dalje nga eurozona dhe ne nuk e pranojmë këtë. Qëndrimi ynë në zonën euro nuk është i negociueshëm”, shtoi ai.

Asnjë vend nuk është tërhequr kurrë nga eurozona. Por dështimi i negociatave mes Athinës dhe kreditorëve të shtunën në mbrëmje tregon se Greqia do të shkojë drejt një falimentimi këtë javë dhe ekziston mundësia e përjashtimit nga zona euro.

Qeveria greke ka vendosur një kontroll strikt të kapitaleve dhe ka urdhëruar bursën e bankat që të qëndrojnë të mbyllura për një javë, në prag të një Grexit-i të mundshëm.

Drejtuesit evropianë theksuan se mbeteshin të hapur për arritjen e një marrëveshjeje, që do të shmangte një dalje të Greqisë nga eurozona.


 

Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme