Ahmeti: Greqia do të përkrahë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në një konferencë për shtyp pas takimit në Shkup me ministrin e jashtëm grek, tha se Ballkani ka nevojë për më shumë paqe, stabilitet dhe siguri, duke shtuar se Greqia do të përkrahë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

Ahmeti: Greqia do të përkrahë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, në ambasadën e Greqisë në Shkup, u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, Nikos Kotzias.

Ministri grek përpos liderit të BDI-së, takoi edhe liderin e Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LDSM), Zoran Zaev dhe liderin e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në një konferencë për shtyp theksoi se takimi ishte i hapur me tema dhe çështje shumë të prekshme. Ai shtoi se në takim është ndarë i njëjti mendim me ministrin grek, se Ballkani ka nevojë për më shumë paqe, më shumë stabilitet dhe më shumë siguri, veçanërisht për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura dhe që ky vend sa më parë të jetë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

“Gjithashtu theksova nevojën për zgjidhjen e çështjes mjaft të ndjeshme, zgjidhjen e çështjes së emrit, ku vërejta një gatishmëri nga ministri i Jashtëm i Greqisë, që mund të bisedohet dhe mund të negociohet. Greqia në këtë rast është mjaft e interesuar që ky problem të mbyllet sa më parë dhe Greqia do të jetë një vend që do të përkrahë Republikën e Maqedonisë për anëtarësim sa më të shpejtë në strukturat e NATO-s, por edhe në Bashkimin Evropian”, deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, duke shtuar se ai personalisht ka fituar përshtypjen që ministri grek kishte gatishmëri, si dhe ishte i hapur dhe i interesuar që ky problem të mbyllet sa më shpejtë.

Ahmeti shtoi se BDI në vazhdimësi ka qenë e interesuar dhe ka investuar në mbylljen e problemeve, siç tha ai, të pambyllura në rajon, sepse ky rajon sipas tij ka nevojë për pajtim, për bashkëpunim sa më të hapur në të gjitha fushat, përfshirë edhe në çështjet e sigurisë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme