SHBA përshëndesin vendimin e Vuçiçit për të vizituar Srebrenicën

Ambasada e SHBA në Serbi përshëndeti vendimin e kryeministrit Aleksandar Vuçiç për të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore në Srebrenicë

SHBA përshëndesin vendimin e Vuçiçit për të vizituar Srebrenicën

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi përshëndeti vendimin e kryeministrit Aleksandar Vuçiç për të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore më 11 korrik në Srebrenicë, nëse do të jetë i ftuar.

”Vendimi i Vuçiçit tregon vendosmërinë e tij në procesin e pajtimit në rajon si edhe vendosmërinë e Serbisë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë së bashku me fqinjët e saj”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.

Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç u shpreh dje i gatshëm për të shkuar në Srebrenicë për të bërë homazhe për viktimat e pafajshme të masakrës më të rëndë në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore, që drejtësia ndërkombëtare e cilëson si gjenocid.

“Jam i gatshëm të përulem dhe të bëj homazhe për viktimat e pafajshme të Srebrenicës në Bosnjën Lindore, masakruar nga forcat serbo-boshnjake në korrik të vitit 1995”, deklaroi Vuçiç në një konferencë shtypi.

Vuçiç nuk do të jetë zyrtari i parë i lartë serb që shkon në Srebrenicë.
Në vitin 2010, presidenti serb i asaj kohe, pro-evropiani Boris Tadiç zhvilloi një vizitë në Srebrenicë për të bërë homazhe për rreth 8 000 burrat dhe djemtë myslimanë të vrarë pak para fundit të luftës ndërkomunitare në vitet 1992-1995.

“Ne, serbët, duhet më shumë se të gjithë popujt e tjerë të tregojmë se ne respektojmë dhimbjen dhe vuajtjen e të tjerëve dhe të tregojmë mirëkuptim për urrejtjen që kanë për ne ata që kanë kaluar ferrin në Srebrenicë”, shtoi Vuçiç.

“Ne duhet të jetojmë në paqe (…) nëse ju më pranoni mua dhe me dorë të shtrirë, jam i gatshëm për të ardhur në Srebrenicë më 11 korrik me rastin e 20-vjetorit të masakrës”, shtoi ai duke iu drejtuar myslimanëve boshnjakë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme