Nishani i dërgon ngushëllim Erdoganit: Demirel mik i shqiptarëve

Bujar Nishani, i dërgoi një mesazh ngushëllimi Presidentit të Republikës së Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan, për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit Sylejman Demirel.

Nishani i dërgon ngushëllim Erdoganit: Demirel mik i shqiptarëve

“Ndarja nga jeta e Presidentit të 9-të të Republikës së Turqisë, Sylejman Demirel, më trishtoi pa masë. Me hidhërim të thellë, ju përcjell Juve dhe nëpërmjet Jush, familjarëve, të afërmve, miqve dhe popullit mik turk, ngushëllimet më të ndjera e të sinqerta”, thuhet në mesazhin e Kreut të Shtetit.

“Presidenti Demirel, ishte politikan dhe burrë shteti që ka lënë gjurmë të thella në politikën e Turqisë. Por, ai do të kujtohet gjithmonë me respekt të thellë edhe nga shqiptarët, si një mbështetës dhe mik i sinqertë i tyre dhe i Shqipërisë. Presidenti Demirel i është gjendur pranë shqiptarëve, si në momentet e para të rimëkëmbjes së vendit pas ndryshimeve demokratike dhe viteve të para të tranzicionit në Shqipëri, ashtu edhe gjatë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Në shenjë mirënjohje për mbështetjen dhe kontributin në forcimin e miqësisë tradicionale mes dy popujve dhe paqes në rajonin e Ballkanit, Shqipëria e ka dekoruar Presidentin Demirel me një prej medaljeve të saj më të larta. Në këtë ditë trishtimi, unë dhe të gjithë shqiptarët, gjendemi pranë familjarëve dhe popullit mik turk, duke u lutur që Presidenti Demirel të prehet në paqe!”, përfundon mesazhi ngushëllues i Presidentit Nishani.

Ish-presidenti turk Suleyman Demirel, një nga udhëheqësit më të shquar të Turqisë në gjysmë shekullin e fundit, vdiq në moshën 90 vjeçare. Z. Demirel erdhi në fuqi në vitet 1960 dhe shërbeu pesë mandate si kryeministër para se të bëhej president nga viti 1993 deri në vitin 2000.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme