Mesazhe urimi me rastin e muajit të Ramazanit

Krerët e Bashkësive Islame të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë kanë uruar besimtarët në prag të fillimit të muajt të shenjtë të Ramazanit

Mesazhe urimi me rastin e muajit të Ramazanit


Krerët e Bashkësive Islame të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë kanë uruar besimtarët në prag të fillimit të muajt të shenjtë të Ramazanit.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, në urimin e tij shprehet se “duke ju uruar edhe një herë përzemërsisht muajin e bekuar të Ramazanit, lus Allahun e Madhëruar, që t’ju japë ju dhe familjeve tuaja, shoqërisë dhe kombit tonë, begati e mirësi. Ai shton më tej se “Agjërimi në këtë muaj na rikujton detyrimin që kemi kundrejt të gjitha shtresave të shoqërisë që kërkojnë kujdesin dhe vëmendjen tonë.

Në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit i cili fillon nesër, më 18 qershor, myftiu i Kosovës, Naim efendi Tërnava në emër të kryesisë së Bashkësisë Islame iu uroi agjërim të lehtë të gjithë besimtarëve muslimanë në Kosovë dhe jashtë saj, duke iu drejtuar besimtarëve me porosinë se, “Ramazani është një rast i mirë që besimtarët t’i kthehen Krijuesit dhe ta kuptojnë sa më mirë misionin e tyre në Tokë”.

Myftiu Tërnava dha mesazhin se “muaji i madhërishëm i Ramazanit, muaj ky që Allahu e nderoi me zbritjen e Kuranit, muaj i sakrificës, solidaritetit, humanitetit, drejtësisë e barazisë mes njerëzve, është muaj kur të gjithë besimtarët i gëzohen atmosferës së re të agjërimit, të adhurimit e lutjeve, mëshirës e pendimit”.

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, Sulejman Rexhepi, duke uruar besimtarët muslimanë në këtë prag fillimi të muajt të Ramazanit është shprehur se: “Muaji i Ramazanit është muaj i ibadeteve të shtuara, por edhe i rahmetit, i mëshirës, i solidaritetit, i ndihmës. Duke e ndihmuar njëri tjetrin, duke e falur njëri tjetrin, duke ia zgjatur dorën e ndihmës njëri tjetrit, do t’i japim kuptim edhe qëndrimit tonë dinjitoz para Allahut, gjatë ibadeteve tonë që i kryejmë vetëm për Të”.

Dita e parë e fillimit të muajit të Ramazanit është të enjten me 18 qershor. Besimtarët do ta bëjnë syfyrin deri në ora 2:32 në mëngjes, kur është imsaki dhe iftarin do ta bëjnë në ora 20:24.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme