Kosova vijon lobimin për anëtarësim në UNESCO dhe INTERPOL

Zv/ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, po qëndron në Nju-Jork të SHBA-ve në kuadër të aktivitetit të tij lobues për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO).

Kosova vijon lobimin për anëtarësim në UNESCO dhe INTERPOL

Sipas një komunikate për media të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, zv/ministri Selimi ka takuar një numër të caktuar të përfaqësuesve të përhershëm në OKB, shtetet e të cilëve nuk kanë përfaqësim momental në Paris.

Në takime të ndara, ambasadorët në fjalë janë informuar nga Selimi lidhur me vendimin e MPJ-së për të aplikuar në UNECSO gjatë ditëve të ardhshme, ndërsa atyre u është kërkuar mbështetja politike në gjithë procesin e kësaj ndërmarrjeje me rëndësi të veçantë në tërësinë e marrëdhënieve multilaterale të Kosovës.

Zv/ministri Selimi ka folur gjerësisht mbi rëndësinë, që ky proces të përfundojë suksesshëm në nëntor të këtij viti, pasi ky hap është në interes të dyanshëm dhe do të kontribuojë më tutje në forcimin e paqes dhe sigurisë rajonale, do t’i hapte rrugë promovimit të bashkëpunimit reciprok përmes edukimit, shkencës dhe kulturës, avancimit të respektit universal për drejtësi, sundim të ligjit dhe të drejtat e njeriut të garantuara me Kartën e OKB-së.

Petrit Selimi është ndalur në veçanti në çështjet e trashëgimisë kulturore, historike, turistike, arkitektonike mijëravjeçare të Kosovës dhe domosdoshmërinë, që kjo trashëgimi të ketë “pasaportën” e UNESCO-s.

Selimi ka folur gjithashtu për resurset natyrore dhe popullsinë dinamike, ku gjysma e popullsisë së Kosovës është nën moshën 25-vjeçare. Rinia, sipas Selimit, përbën grupin më të madh demografik me një potencial të jashtëzakonshëm për t’u bërë faktor i ndryshimit. Prandaj, shtoi ai, anëtarësimi në UNESCO paraqet fokusin kryesor në synimet tona afatshkurtra. Bashkëpunimi i drejtpërdrejtë ndërmjet Kosovës dhe UNESCO-s, përfshirë partnerët e saj kryesorë në këtë fushë, do të ndihmojë shumë që Kosova të promovojë punën e saj dhe të arrijë një zhvillim cilësor dhe të gjithëmbarshëm.

Si përfundim, theksoi Selimi, qeveria e Kosovës është shumë e interesuar për promovimin dhe rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje, për arsimimin cilësor të tyre, për promovimin e punës dhe parandalimin e diskriminimit.

Zv/ministri Selimi ka folur edhe për zhvillimet politike në Kosovë, në procesin e konsolidimit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës nga perspektiva e njohjeve dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, si dhe dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Selimi mori përkrahje të gjerë në këtë drejtim. Ndërsa në Uashington ai pritet të zhvillojë konsultime politike me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, me theks të veçantë në anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe INTERPOL.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme