Lu: Ndalim vizash për zyrtarët e korruptuar shqiptar

Ambasadori amerikan në Shqipëri, Donald Lu, vlerëson procesin e deritanishëm të pastrimit të listave të kandidatëve për zgjedhjet vendore në Shqipëri të 21 qershorit, nga persona me të kaluar kriminale, pavarësisht se në to kanë mbetur ende të tillë.

Lu: Ndalim vizash për zyrtarët e korruptuar shqiptar

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadori amerikan, tha se udhëheqësit politikë nga e djathta dhe e majta kanë hequr kriminelë prej listave të kandidatëve. “Për ata kriminelë që ende janë në lista, ka një diskutim publik në rritje për aktivitetin e tyre kriminal. Votuesit shqiptarë janë të zgjuar. Jam besimplotë se ata do të marrin vendime të mira”, deklaroi diplomati amerikan.

Më tej, ambasadori Lu foli edhe për korrupsionin dhe nismën e administratës amerikane që zyrtarëve të korruptuar t’u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara. “Shpallja Presidenciale Nr. 7750, i jep Sekretarit të Shtetit autoritetin të ndalojë lëshimin e vizave amerikane zyrtarëve, gjykatësve, prokurorëve dhe deputetëve të huaj të korruptuar. Ne e përdorim këtë kompetencë anembanë botës për të promovuar luftën kundër korrupsionit. Presim që së shpejti të shqyrtojmë rastet e para në Shqipëri”, tha ai.

Duke komentuar dhe procesin e reformës në Drejtësi, rëndësinë e saj dhe mungesën e përfshirjes së opozitës, Donald Lu u shpreh se “procesi aktual i reformës në drejtësi ka mundësinë të krijojë një sistem për largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar”.

Për ta bërë këtë, tha Lu, Shqipërisë i duhet pjesëmarrja e ekspertëve më të mirë të saj ligjorë, përfshirë ata nga opozita. “Një reformë në gjyqësor që ruan standardet ndërkombëtare pa opozitën, është e mundur. Megjithatë, ne e dimë se me pjesëmarrjen e opozitës kjo do të ishte një reformë më e mirë dhe më e qëndrueshme për Shqipërinë”, përfundoi Ambasadori i SHBA-ve.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme