Malta mbështet integrimin e Kosovës në BE

Presidentja e Maltës, Marie-Louise Coleiro Preca, priti sot në takim zëv/kryeministrin dhe njëherësh ministrin e Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi.

Malta mbështet integrimin e Kosovës në BE

Presidentja e Republikës së Maltës tha se Kosova është një shtet që po dëshmon përkushtim të madh për integrim në familjen e madhe evropiane dhe përkrahja e shtetit maltez, i cili ishte ndër të parët që ka njohur edhe pavarësinë e Kosovës, nuk do të mungojë edhe në të ardhmen. Nënshkrimi i MSA-së, sipas kryetares Marie-Louise Coleiro Preca, është një konfirmim i rëndësishëm për agjendën evropiane që ka ndjekur Kosova.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Thaçi e njoftoi kryetaren e Maltës edhe me fokusin e tashëm të politikës së jashtme në kërkim të njohjeve të reja dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare, ku tashmë po kërkohen më shumë njohje cilësore.

“Tani jemi përqendruar më shumë në sigurimin e njohjeve që sjellin cilësi, sidomos për jetën e qytetarëve të Kosovës, sepse kemi kaluar në një fazë tjetër dhe e vlerësojmë shumë edhe përkrahjen e lidershipit të Maltës për fuqizimin e shtetësisë sonë. MSA-ja përbën një ndryshim të madh kualitativ të marrëdhënieve mes Kosovës dhe BE-së. Gjithashtu, ne shumë shpejt do të aplikojmë për anëtarësim edhe në Këshillin e Evropës, i cili ofron instrumente të ndryshme për qytetarët e Kosovës që të mbrojnë të drejtat e tyre. Gjithashtu, do të aplikojmë edhe në UNESCO, i cili do të na mundësojë që të kujdesemi vet për trashëgiminë tonë kulturore, historike e religjioze. Pra, kemi hyrë në një fazë të re, e cila është edhe shenjë e pjekurisë së shtetit të Kosovës, i cili tani kërkon të bëhet pjesë e organizatave ku vet vlerëson se mund të përfitojë si shtet dhe më nuk ka nevojë të nxitojë të dëshmojë shtetësinë e vet me numra”, ka thënë zëvendëskryeministri Thaçi, cituar në njoftimin e MPJ-së kosovare dërguar nga Valeta.

Presidentja e Maltës, Marie-Louise Coleiro Preca dhe zëvendëskryeministri Thaçi kanë folur edhe për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror edhe në sferat e ekonomisë dhe kulturës, por që me theks të veçantë është kërkuar përkrahja nga Malta për nënshkrimin sa më të shpejt të MSA-së dhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Kosova dhe Malta janë dy vende të vogla, por me zemër dhe shpirt të madh, me solidaritet me njëra tjetrën. Ne ndajmë aspirata dhe vlera të njëjta, prandaj duhet të bashkëpunojmë edhe më shumë”, tha zëvendëskryeministri Thaçi duket shtuar se Kosova ka filluar të pranojë investime direkte të huaja “dhe po i shqyrtojmë mënyrat për të sjellë investitorët maltezë në Kosovë”.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme