SHBA - Këshilli i Sigurimit i OKB shqyrton raportin për Kosovën

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të shyqrtojë sot raportin tremujor të sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki-Moon, mbi zhvillimet në Kosovë.

SHBA - Këshilli i Sigurimit i OKB shqyrton raportin për Kosovën

Këshilli i Sigurimit do të dëgjojë gjithashtu vlerësimet dhe komentet e përfaqësueve të Kosovës, Serbisë dhe vendeve anëtare, të cilët do të reflektojnë për raportin dhe për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në rajon.

Zv/kryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar për në Nju-Jork, ku do të marrë pjesë në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

"Zv/kryeministri Thaçi para përfaqësuesve të vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit do të prezantojë të arriturat në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës, si dhe do të shpalosë reformat e ndërmarra nga Kosova në tremujorin e fundit. Thaçi do të flasë edhe për rolin e Republikës së Kosovës në stabilitetin e rajonit", ka bërë të ditur MPJ kosovare në njoftimin e dërguar.

Nga Nju-Jorku raportohet se një nga vlerësimet, që dallohet në raportin më të ri, i cili përfshin periudhën nga 15 janari deri më 15 prill, është "marrëveshja për integrimin e gjyqësorit në veri", e arritur në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, të cilën sekretari i përgjithshëm i OKB-së e konsideron "të një fryme të bashkëpunimit konstruktiv, ku theksi vihet mbi interesat e përbashkëta".

"Një çështje thelbësore për të ardhmen e Kosovës", sekretari Ban e quan kështu themelimin e Gjykatës Speciale dhe në këtë kuadër ka përshëndetur hapat e autoriteteve të Kosovës drejt themelimit të saj. Çështje të tjera, që përmenden në raportin e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, janë ato rreth stabilitetit në veriun e Kosovës, për nevojën e krijimit të asociacionit të komunave, për kthimin e deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës, si dhe për nevojën e përmirësimit të raporteve midis pushtetit lokal në komunat e veriut me atë qendror në Prishtinë.

Siç bëjnë të ditur mediat e Prishtinës, diskutimet e sotme pritet të orientohen edhe nga ngjarjet e fundit në Kumanovë, ku sigurisht nga vendet jo shumë miqësore ndaj shtetësisë së Kosovës nuk do të kursehen akuzat për rolin e shtetasve të saj. Rreth këtyre ngjarjeve ekziston edhe një shpresë e një iniciative për një hetim të paanshëm ndërkombëtar dhe këtu sigurisht se nuk do të mungojë qasja konstruktive e vendeve perëndimore.

Seanca do të nisë në 10.00 paradite, sipas orës lokale në Nju-Jork, ndërsa kryesuese për këtë muaj e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është Lituania, anëtare me një mandat rotativ dyvjeçar.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme