Mbyllet Samiti i SEECP - Ponta: Duam sa më parë Shqipërinë në BE

Përfundoi punimet në Tiranë Samiti i Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), që shënoi dhe përmbylljen e kryesimit nga Shqipëria të kësaj organizate.

Mbyllet Samiti i SEECP - Ponta: Duam sa më parë Shqipërinë në BE

Bullgaria është vendi që do të marrë drejtimin e SEECP-së për një periudhë njëvjeçare.

Në një konferencë për shtyp në fund të Samitit, ku krahas Presidentit Bujar Nishani, ishin të pranishëm dhe Presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev dhe kryeministri i Rumanisë Viktor Ponta, u vlerësuan arritjet e palës shqiptare në kryesimin e SEECP-së, ndërsa u theksua se deklarata e përbashkët, e miratuar me konsensus nga të gjitha vendet anëtare, dëshmoi vullnetin e tyre për bashkëpunim rajonal dhe nxitjen e fqinjësisë së mirë, të cilat i kontribuojnë stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë kryesisë shqiptare të SEECP-së, tha Nishani, u organizuan një numër i konsiderueshëm aktivitetesh dhe u miratuan dokumente të rëndësishme që prekin çështje thelbësore, siç është sfida e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, apo bashkëpunimi mes të rinjve, që synojnë mirëkuptimin dhe afrimin më të madh mes vendeve tona. Po ashtu, shtoi Presidenti, në fokus të kryesisë së radhës së Shqipërisë ka qënë mirëqeverisja, zhvillimi infrastrukturor dhe energjitik i rajonit, të cilat janë përcaktuar qartë si prioritete të secilit vend dhe të rajonit së bashku.

Kryeministri rumun Ponta, duke vlerësuar marrëdhëniet me Shqipërinë shprehu dëshirën e tij që BE të përshpejtojë negociatat e anëtarësimit me vendin tonë “sepse duam që ju të jeni sa më shpejt në BE”, tha ai.

“Dëshiroj ta them edhe njëherë se ne jemi tashmë anëtarë të BE-së dhe mbështesim hyrjen e të gjitha vendeve të rajonit në BE. Nuk është puna se ne kemi hyrë brenda dhe e kemi mbyllur derën, përkundrazi, është në interesin e BE-së dhe të vendeve të rajonit që të përshpejtojnë negociatat”, tha kryeministri rumun.

Në deklaratën gjatë konferencës për shtyp, Ponta ishte i mendimit për një rol më të përkushtuar në zhvillimin e rajonit, ndërsa theksoi se paqja, dialogu dhe qëndrueshmëria janë thelbësorë për Ballkanin. “Fatkeqësisht Evropa dhe disa rajone të tjera janë përfshirë në konflikte të rëndësishme këtu e kam fjalën për Ukrainën Lindore e Lindjen e Mesme, prandaj duhet të kemi qëndrueshmëri dhe të jemi një rajon solidar”, theksoi ai.

Presidenti bullgar, Plevneliev nga ana e tij, shprehu mirënjohjen për kryesimin e radhës së Shqipërisë, ndërsa u angazhua se vendi i tij do ta çojë më tej misionin e kësaj organizate në bashkëpunimin për një Ballkan të begatë e paqësor. “Gjatë këtyre 20 viteve kanë ndryshuar shumë gjëra dhe lokomotiva e këtij transformimi pozitiv është bashkëpunimi rajonal, i cili besojmë ne, rrit bashkimin rajonal mes kombeve të ndryshme dhe mbi të gjitha integrimin evropian. Nuk besojmë se agresioni, paqëndrueshmëria, ndryshimi i kufijve, konfliktet etnike etj, do të sjellin ndonjë të ardhme të mirë për rajonin tonë”, u shpreh Presidenti Plevneliev në mbyllje të Samitit të SEECP-së, mbajtur sot në Tiranë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme