Murphy: Maqedonia të përmbushë detyrimet ndaj qytetarëve

Senatori demokrat Chris Murphy paralajmëron se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk duhet ta lënë në harresë Ballkanin.

Murphy: Maqedonia të përmbushë detyrimet ndaj qytetarëve

Ai u bën thirrje autoriteteve të Shkupit të përmbushin detyrimet ndaj qytetarëve të tyre. Këto komente Senatori Murphy i bëri gjatë një intervistë për shërbimin gjeorgjian të Zërit të Amerikës, mbi qëndrimin e Rusisë ndaj vendeve fqinje të ish Bashkimit Sovjetik.
Senatori demokrat nga shteti Konektikat thekson se Shtetet e Bashkuara dhe në përgjithësi bashkësia ndërkombëtare duhet t’i përgjigjen me vendosmëri agresionit rus:

"Nëse nuk dërgojmë një mesazh të qartë në lidhje me veprimet në Ukrainë se Rusia do të paguajë një çmim të rëndë për agresionin e saj, kjo prirje nuk do të ndalë. Vladimir Putin e ka bërë shumë të qartë: ai mendon se tragjedia më e madhe që i ka ndodhur Rusisë gjatë 100 vjetëve të fundit ishte shpërbërja e Bashkimit Sovjetik. Ai do të rikrijojë një version të ish-Bashkimit Sovjetik apo të perandorisë ruse. Sot Vladimir Putin është përqëndruar tek Ukraina, por ai mund të vazhdojë edhe më tej, në vende si Moldavia, Gjeorgjia, apo edhe në Baltik dhe në Ballkan, nëse nuk e paguan për ato që po bën sot”.

Zoti Murphy i ndjek me vëmendje edhe zhvillimet në Ballkan. Ai zhvilloi në tetor një turne pune në Kosovë, Shqipëri, Serbi dhe Maqedoni për të diskutuar nevojën për forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe politike të Shteteve të Bashkuara me Ballkanin. Në intervistën e djeshme, ai ndalet tek zhvillimet e fundit në Maqedoni dhe u bën thirrje autoriteteve të Shkupit të përmbushin detyrimet e një qeverie demokratike ndaj qytetarëve:

“Unë e kam ngritur me të madhe gjatë vitit të fundit shqetësimin për hapat prapa që kemi vërejtur në Maqedoni lidhur me respektimin e shtetit ligjor, të drejtat e njeriut, apo lirinë e shtypit. Incidentet e javëve të fundit janë shumë shqetësuese. Qeveria e Maqedonisë duhet të angazhohet plotësisht për të respektuar të drejtat e shtetasve të saj, për të riparuar dëmin që kanë shkaktuar të gjitha këto që kemi dëgjuar kohët e fundit për aktet e autoriteteve”.

Senatori demokrat foli edhe për nevojën që Shtetet e Bashkuara t’i kushtojnë vëmendje më të madhe rajonit të Ballkanit. Ai thotë se shumë nga tensionet që ushqyen konfliktet e dekadave të fundit në Ballkan ende nuk janë shuar.

“Shtetet e Bashkuara duhet të tregohen aktivë dhe të pranishëm në zhvillimet në Ballkan. Ne e konsiderojmë si të mirëqënë se Ballkani është një rajon në paqe sot. Tensionet që u shpalosën në luftrat rajonale mbi dhjetë vjet më parë vazhdojnë të ziejnë, prandaj Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë një rol më aktiv në atë rajon se ç’po luajnë aktualisht. Për këtë arsye shkova në Ballkan në vjeshtë të vitit të kaluar dhe shpresoj se kolegët e mi do të bëjnë të njëjtën gjë”.
Senatori Chris Murphy është anëtari më i lartë demokrat i Nënkomisionit të Senatit për Lindjen e Afërme dhe Antiterrorizmin.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme