Krerët e partive politike në Maqedoni takohen për herë të dytë

Kryetarët e katër partive më të mëdha politike në Maqedoni pritet sot të mbajnë në Shkup takimin e dytë për gjetjen e zgjidhjes për dalje nga kriza politike në vend

Krerët e partive politike në Maqedoni takohen për herë të dytë

Kryetarët e katër partive më të mëdha politike në Maqedoni, Nikolla Gruevski nga VMRO-DPMNE, Ali Ahmeti nga BDI-ja, Zoran Zaev nga LSDM dhe Menduh Thaçi nga PDSH pritet sot të mbajnë në Shkup takimin e dytë për gjetjen e zgjidhjes për dalje nga kriza politike në vend.

Sikurse të enjten, si vëzhgues edhe këtë herë pritet në takim të marrin pjesë ambasadorët e SHBA-së dhe të BE-së, Xhes Bejli dhe Aivo Orav, informon televizioni maqedonas ALSAT.

Pas përfundimit të takimit të parë të liderëve, pjesëmarrësit lajmëruan se është bërë përpjekje të krijohet kornizë për biseda për dalje nga kriza politike në vend.

Ndërkohë që me moton “Maqedonia e fuqishme!” sot para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë VMRO-DPMNE dhe partitë e koalicionit “Për Maqedoni më të mirë” do të zhvillojnë një tubim popullor

Në tubimin sipas Gruevskit do të shprehet përkrahje e shtetit në këto momente të vështira, për të gjithë ata që luftojnë për Maqedoninë, për forcat siguruese, për të gjitha forcat të cilat i japin përpjekje Maqedonisë për dalje nga ky proces, të përfundojë kjo krizë dhe të vazhdohet nëpër rrugët e përparimit, në hapjen e vendeve të reja të punës, në rritjen e rrogave, të pensioneve, të ndihmës sociale, nëpër shtigjet e përkrahjes së fuqishme të bujqve.

Në thirrjen e VMRO-DPMNE-së për tubimin, thuhet se partia do të luftojë për Maqedoni të zhvilluar ekonomikisht, të qëndrueshme dhe të fuqishme dhe nuk do të lejojë për shkak të asnjë interesi partiak ose personal që shteti të futet në atë drejtim, i cili është në dëm të çdo qytetari të Maqedonisë.

Protesta e organizuar dje pasdite në Shkup nga partia më e madhe opozitare maqedonase LSDM për dorëheqjen e kryeministrit Nikolla Gruevski u zhvillua e qetë dhe pa incidente. Qindra përkrahës të opozitës në tenda dhe qiell të hapur qëndruan para Qeverisë, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev. Ai theksoi se do të vazhdojë protesta dhe qëndrimi para Qeverisë deri në dorëheqjen e kryeministrit Nikola Gruevski.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme