Erdogan në Tiranë për përurimin e punimeve në xhaminë e Namazgja

Sot në Tiranë do të organizohet ceremonia e hedhjes së themelit dhe nisjes së punimeve të xhamisë së Namazgjasë

Erdogan në Tiranë për përurimin e punimeve në xhaminë e Namazgja


Sot në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë do të organizohet ceremonia e hedhjes së themelit dhe nisjes së punimeve të xhamisë së Namazgjasë së Tiranës, e cila do të jetë më e madhja në Ballkan.

Në ceremoninë e hedhjes së themelit të kësaj faltoreje do të marrin pjesë, Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Kreu i Entit të Çështjeve Fetare të Turqisë, Prof. Dr. Mehmet Görmez, kryetari i komunitetit mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, diplomatë të akredituar në Tiranë dhe të tjerë të ftuar.

Në një pronocim për gazetarë kryetari i dytë i Fondacionit të Çështjeve Fetare të Turqisë, Mazhar Bilgin tha se ndodhet në Shqipëri për ti dhënë fund pritjes për një faltore të tillë pasi sipas tij besimtarët myslimanë të Shqipërisë për shkak të pamundësisë prej një kohe të gjatë detyrohen të kryejnë ritet e tyre fetare në rrugë pasi xhamitë ekzistuese nuk iu përgjigjen kërkesave të tyre.

Bilgin në fjalën e tij jep detaje për projektin e xhamisë ku sipas tij kjo faltore do të ndërtohet në një hapësirë prej 10 mijë metrash katrorë dhe do të ketë një hapësirë ndërtimi prej 5 mijë metrash katrorë.

Bilgin në fjalën e tij thotë gjithashtu se kjo ndërtesë nuk do të jetë thjeshtë një xhami, por një qendër multi funksionale, ku pjesë e saj do të jenë edhe: një sallë konferencash me një kapacitet prej 332 personash, një hapësirë me 10 klasa ku do të mësohet Kur'an-i Kerim si dhe një muze i cili do të quhet edhe ndryshe si "muzeu i bashkëjetesës".

Mazhar Bilgin i shoqëruar nga Këshilltari për Çështjet Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Şaban İşlek kanë zhvilluar një vizitë në vendin ku po zhvillohen edhe përgatitjet dhe punimet e kësaj xhamie e cila pritet të kthehet në një simbol jo vetëm për myslimanët e Shqipërisë, por për të gjithë shqiptarët me praninë e muzeut të bashkëjetesës.

Ndërkohë nga ana tjetër ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Hidayet Bayraktar tha se xhamia ishte një nevojë për besimtarët myslimanë të Shqipërisë dhe se kjo xhami do të jetë një dhuratë e popullit turk për popullin shqiptar. Dhuratë kjo, e cila sipas tij, do të ndihmojë në ruajtjen e vlerave dhe traditave të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në kuadër të vizitës një ditore në Shqipëri, do të ketë një agjendë të ngjeshur takimesh me drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, si me Presidentin Bujar Nishani, Kryeministrin Edi Rama, Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, si dhe me kryetarin e opozitës, Lulzim Basha.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme