Krerët e shtetit të Kosovës reagojnë për ngjarjet në Kumanovë

Ngjarja e të shtunës në Kumanovë të Maqedonisë, ku pati shpërthime dhe shkëmbime intensive zjarri mes një grupi të armatosur dhe forcave të policisë, u dënua nga diplomacia dhe politika shqiptare.

Krerët e shtetit të Kosovës reagojnë për ngjarjet në Kumanovë

Menjëherë kane reaguar qarqet politike të Kosovës zyrtare, ku Presidentja e Republikës Atifete Jahjaga, ka shprehur shqetësimin e saj të thellë për situatën në Kumanovë të Maqedonisë, si dhe apelon të gjitha palët të respektojnë ligjin dhe të përmbahen nga dhuna.

Po ashtu, reagoi edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili shprehu shqetësimin e tij për ngjarjet në Kumanovë dhe pikëllimin për humbjen e jetëve njerëzore në këtë ngjarje.

“Ne besojmë se institucionet e shtetit maqedonas e kanë gjithë vullnetin dhe kapacitetet që problemet politike dhe tensionet eventuale etnike të trajtohen me maturi dhe mjete demokratike. Dhuna nuk është zgjidhje në asnjë rrethanë dhe për askënd. Ne besojmë gjithashtu se faktori politik shqiptar në Maqedoni është në nivelin e përfaqësimit adekuat të brengave dhe interesave të shqiptarëve në Maqedoni dhe do të gjeje rrugët për tejkalimin e situatave të ngjashme me racionalitet e pjekuri politike”, shprehet Veseli.

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, reagoi në statusin e tij Facebook për situatën në Kumanovë të Maqedonisë, duke theksuar se “Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës shpreh brengosjen e thellë për dhunën që shpërtheu në Kumanovë të Maqedonisë. Besoj thellë se evitimi i dhunës është në dobi të të gjitha palëve dhe të stabilitetit në Maqedoni, për çfarë Kosova është shumë e interesuar”.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme