Nishani në SHBA, i ftuar në votimin e rezolutës për shqiptarët

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, po zhvillon një vizitë pune në SHBA, ku është i ftuar për të ndjekur votimin e rezolutës për rolin e kombit shqiptar, kërkuar nga anëtari i Asamblesë së Nju-Jorkut, Mark Gjonaj.

Nishani në SHBA, i ftuar në votimin e rezolutës për shqiptarët

Zyra e shtypit pranë Presidencës bëri të ditur përmes një njoftimi për shtyp se pas votimit të rezolutës në fjalë, kërkuar nga anëtari i Asamblesë së Nju-Jorkut, Mark Gjonaj; Presidenti i Republikës do t’u drejtohet më një fjalim të pranishmëve në punimet e Asamblesë, si dhe Senatit të Shtetit të Nju-Jorkut.

Programi i qëndrimit në SHBA parashikon takime të Presidentit Nishani me pjesëtarë të Asamblesë dhe të Senatit të Nju-Jorkut, vizita në "Hebrew Union College", një ligjëratë në "Manhattan College", si dhe takime me politikanë të Nju-Jorkut e personalitete të shquara shqiptaro-amerikane me një kontribut të qenësishëm në promovimin e vlerave humane të shqiptarëve.

Kreu i Shtetit shqiptar do të zhvillojë takime edhe me drejtuesit e Fondacionit "Raoul Wallenberg", me organizatën "Sisterhood of Salam" dhe "Ethnic Understanding", të cilat punojnë në promovimin e dialogut ndërfetar.

Në përfundim të vizitës së tij, Presidenti Nishani do të mbajë një ligjëratë "Mbi tolerancën fetare" në "Manhattan College", si dhe do të përshëndesë aktivitetin, që do të mbahet në Sinagogën "B’nai Jeshurun". Ky aktivitet mbahet në shenjë vlerësimi ndaj ndihmës së vyer, që dhanë shqiptarët në shpëtimin e hebrenjve.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme