Steinmeier: Ballafaqimi me të kaluarën themel i së ardhmes

"Me themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, Kosova është duke punuar në të mirë të historisë së vet", deklaroi Steinmeier

Steinmeier: Ballafaqimi me të kaluarën themel i së ardhmes

Me themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, Kosova është duke punuar në të mirë të historisë së vet dhe gjeneratave të ardhshme, ka deklaruar gjatë vizitës së tij në Prishtinë, Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.

Zyrtarin e lartë të qeverisë gjermane, i cili arriti pasdite në Kosovë, fillimisht e ka pritur Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, më pas është takuar me Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa dhe në fund me shefin e diplomacisë kosovare, Hashim Thaçin.

Në konferencën e përbashkët për media, me Kryeministrin Mustafa, Steinmeier ka vlerësuar se, me themelimin e Gjykatës Speciale, Kosova do të dëshmojë se është e përgjegjshme ndaj historisë së vet dhe do t’i sqarojë të gjitha paqartësitë përmes kësaj gjykate.

“Nga përvoja gjermane, mund t’ju them se, ballafaqimi me të kaluarën është themel i vetëdijesimit të njerëzve për të ecur përpara, drejt ardhmërisë së tyre. Prandaj, mund të them se, ne jemi shumë të lumtur me faktin që do të themelohet Gjykata Speciale. Kjo në asnjë mënyrë nuk është lajm i keq, ky është lajm i mirë” ka thënë Steinmeier.

Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Mustafa nuk ka mundur të jap datën e saktë të votimit për themelimin e Gjykatës Speciale sepse, siç deklaroi ai, projektligji është ende në përpunim e sipër.

“Me aq sa kam informata, pritet që në javët e ardhshme, të vjen një grup punues i Brukselit, në mënyrë që të harmonizohen qëndrimet me ekspertët nga Kosova, lidhur me ligjin mbi Dhomat e Veçanta të Gjykatës Speciale dhe unë mendoj se, porsa të përfundoj ajo do të procedohet në Kuvend”, ka thënë Kryeministri Mustafa.

Shefi i diplomacisë gjermane, Steinmeier, ka vlerësuar se Kosova ka shënuar përparim të madh në plotësimin e kritereve të nevojshme për liberalizimin e vizave, prandaj negociatat ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës duhet vazhduar.

“Procesi i negociatave po përparon dhe kjo shihet nga procesi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA) të cilin e ka përmendur kryeministri. Ky proces është duke u zhvilluar në mënyrë intensive dhe përkundër faktit se, nga këndvështrimi i disave, ka zgjatur shumë, megjithatë ia vlen. Ne e kemi vlerësuar kështu dhe kemi ardhur deri tek ky përfundim andaj edhe i kemi vendosur inicialet” ka deklaruar diplomati gjerman gjatë konferencës për shtyp dhe ka shtuar se, bëhet fjalë vetëm për edhe disa muaj para se MSA-ja të nënshkruhet.

Ndërkohë, mysafirin e lartë nga Gjermania e ka pritur Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës dhe njëherësh Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Gjatë takimit me homologun e tij gjerman, Frank-Walter Steinmeierin, zëvendëskryeministri Thaçi ka deklaruar se Gjermania mbetet partner kyç i Kosovës, në rrugën e saj për t’u bërë anëtare e plotë e institucioneve euroatlantike dhe e bashkësisë ndërkombëtare. Si rezultat i kësaj, Thaçi ka përmendur edhe faktin se Kosova është afër nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit.

Lidhur me marrëveshjet e arritura në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Thaçi është shprehur se ato kanë kontribuar në përmirësimin e jetës dhe në integrimin e qytetarëve serbë të pjesës veriore në institucionet kosovare, si dhe në zhbërjen e strukturave ilegale serbe por këto marrëveshje, sipas ministrit të jashtëm kosovar, duhet të zbatohen në tërësi nga ana e Serbisë.

Nga ana tjetër, Frank-Walter Steinmeier ka thënë se perspektiva evropiane për rajonin dhe Kosovën është e qartë dhe pozitive, por ajo gjithnjë duhet të bëhet me matje të kujdesshme në plotësimin e kushteve që ndërlidhen ngushtë me raportimet e Komisionit Evropian në Kosovë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme