Përkujtohet 70-vjetori i shkatërrimit të "Aushvicit kroat"

Qindra persona, përfshirë dhe drejtues kroatë, morën pjesë të dielën në një ceremoni përkujtimore për viktimat e kampit të përqendrimit të Jasenovacit, i ashtuquajtur "Aushvici kroat", 70 vjet pas shkatërrimit të tij në fund të Luftës II Botërore.

Përkujtohet 70-vjetori i shkatërrimit të "Aushvicit kroat"

“Tmerret e Jasenovacit janë një paralajmërim dhe na kujtojnë se ne, më shumë se kurrë, nuk duhet të lejojmë diskriminimin dhe persekutimin në bazë të mosmarrëveshjeve kombëtare, konfesionale, ideologjike apo seksuale”, deklaroi Kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Josip Leko.

Ceremonia, në të cilën morën pjesë gjithashtu të mbijetuar të kampit dhe familjet e viktimave, u zhvillua në memorialin e Jasenovacit, i njohur ndryshe dhe si "Aushvici kroat", rreth 100 kilometra në juglindje të Zagrebit. Një shërbesë fetare shumëkonfesionale u zhvillua gjithashtu.

Këto ceremoni kujtojnë në fakt një përpjekje të 600 të ndaluarve për t’u arratisur nga kampi, prej të cilëve vetëm 90 mbijetuan.

Kryeministri kroat, Zoran Milanovic, konfirmoi se Kroacia moderne, anëtare e Bashkimit Evropian që prej vitit 2013, është distancuar në Kushtetutën e saj nga regjimi kroat ustashi (pronazist) i Luftës II Botërore.

Kampi i Jasenovacit, ngritur në vitin 1941, ishte një prej rreth 80 kampeve të përqendrimit të regjimit pronazist kroat.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme