Dhimbja mbizotëron në Ditën e të Pagjeturve të Kosovës

Me rastin e 27 Prillit – Ditës së Personave të Zhdukur, Kuvendi i Kosovës po zhvillon sot seancën e veçantë plenare ku nënvizohet se “moszbardhja e fatit të të humburve, bën që Kosova të mbetet dosja e madhe e krimit të pandëshkuar”.

Dhimbja mbizotëron në Ditën e të Pagjeturve të Kosovës

“Zbardhja e fatit e vendndodhjes së personave që na mungojnë si pasojë e agresionit nga lufta e fundit në Kosovë vazhdon të jetë prokupim i përbashkët i familjarëve, institucioneve e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha kryetarja e Komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Persona të Pagjetur, Lirije Kajtazi, në seancën e Kuvendit, ku foli edhe Bajram Qerkini, përfaqësues i familjeve të të zhdukurve.
Pas seancës, në oborrin e Kuvendit të Kosovës, kryetari i Kuvendit, Kadri
Duke folur para familjarëve të personave të zhdukur, zbulimin e kësaj përmendoreje kryetari Veseli e konsideroi një akt institucional solidarizimi me dhimbjen e familjeve për 1.650 personat e pagjetur.
Kreu i Kuvendit tha se qëllimi i organizimit të “Javës së të pagjeturve” dhe ngritja e përmendores, ishte përcjellja e një mesazhi human dhe paqeje, se këta njerëz u mungojnë të gjithëve dhe se institucionet e Republikës së Kosovës bashkëndiejnë dhembjen me familjarët e të pagjeturve. Ndërsa, atyre që i mbajnë ende trupat e tyre, t’u përcillet mesazhi human se është momenti i fundit që ata të kthehen në tokën e vet.

“Si përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, dëshirojmë të përçojmë edhe mesazhin politik se fqinjësia e mirë dhe partneriteti janë përkushtim i Republikës së Kosovës, por ato mund të arrihen vetëm në atë moment kur shpirti i këtyre familjarëve dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës do të jetë i qetë, kur këta njerëz që ende janë të pagjetur, të prehen në tokën e vet. Kjo është edhe simbolika e kësaj përmendoreje, e cila e shpreh tërësinë tonë, ndërsa ato pjesë që mungojnë janë pikërisht të pagjeturit tanë”, theksoi kryetari Veseli.

Kryetari i Kuvendit tha se në këtë ditë, kur po shënohet Dita e të zhdukurve, angazhimi gjithëpërfshirës për zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe kthimin e tyre në atdhe, aktualizohet për të mbetur detyrim deri në përmbylljen e këtij procesi tejet të dhimbshëm.
Ndërsa kryeministri Mustafa tha se “qeveria e Republikës së Kosovës dhe unë, jemi të përkushtuar që të punojmë dhe sot ne morëm pjesë në një seancë të Kuvendit për të shënuar këtë ditë, por nuk do ta lëmë vetëm me këtë. Ne do të vazhdojmë më tutje që të punojmë në mënyrë që të identifikohen njerëzit tanë që janë humbur dhe nuk janë gjetur akoma, të kthehen në gjirin e familjeve të tyre, të marrin përgjegjësinë para ligjit dhe para drejtësisë të gjithë ata që morën pjesë në masakrat, në zhdukjen e familjarëve tuaj”.
“Do ta bëjmë këtë çështje jo vetëm çështje të Kosovës, por do ta bëjmë edhe çështje ndërkombëtare që të krijohet një gjyqësor me çdo kusht, që për këtë të diskutohet në institucionet më të larta ndërkombëtare, përfshirë edhe Brukselin, që të bëhet presion në Serbi, në mënyrë që të kthehen familjarët tuaj dhe tanë, dhe poashtu jo vetëm që të kthehen, por edhe të marrin përgjegjësi para ligjit dhe drejtësisë të gjithë ata që morën pjesë në masakra, të gjithë ata që ishin pjesëtarë të forcave ushtarake dhe paramilitare serbe dhe të gjithë ata që e shkaktuan këtë dhimbje dhe këtë padrejtësi në vendin tonë”, u shpreh Mustafa.
Në Ditën e të Zhdukurve të Kosovës , në 27 prill 1999, para 16 vitesh, në Mejë të Gjakovës, në Lëndinën e Pikëllimit, forcat serbe masakruan e zhdukën 377 shqiptarë që i rrëmbyen nga kolona e refugjatëve. Asnjëri nga të ndaluarit në rrethimin e hekurt të kolonës së civilëve nuk kishte arritur të dilte i gjallë. Ajo ishte një nga kolonat e shumta të spastrimit etnik, të rreth 1 milion shqiptarëve të dëbuar nga Kosova, shumica drejt Shqipërisë.

Në Kosovë, 16 vjet pas luftës, janë ende mbi 1650 të zhdukur. Në vigjilje të 27 Prillit – Ditës së të Pagjeturve të Kosovës, që nga 21 prilli organizohet shënimi i “Javës për Personat e Pagjetur”, me përkrahjen e Kryetarit të Kuvendit të Republikës, Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, në bashkëpunim me Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur e Peticione dhe me Shoqatat Familjare të Personave të Zhdukur.
Ndërkohë, vazhdon kërkimi i të zhdukurve të Kosovës në varreza masive në Serbi. Gjatë operacionit të zhvarrosjes, i cili ka zgjatur 2 muaj në Rudnicë të Rashkës – prej prillit deri në qershor 2014, janë gjetur mbetjet e gjithsej 54 personave. Mendohet se atje janë groposur, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimeve, së paku 250 shqiptarë të vrarë e të masakruar në Kosovë.
Në 17 prill 2015 në fshatrat Çikatovë dhe Gllanasellë të Gllogovcit u varrosën mbetjet e 21 personave të gjetura në Rudnicë, të cilat Departamenti i Mjekësisë Ligjore ua ka dorëzuar javën e kaluar familjeve të tyre.

Në luftën e para mëse 16 viteve kundër Kosovës, në fushatën e terrorit, spastrimit etnik e gjenocidit, forcat serbe të Milosheviçit, i njohur edhe si Kasapi i Ballkanit, i cili më pas ka përfunduar në Tribunalin për Krime Lufte në Hagë, kanë vrarë më shumë se 12.000 shqiptarë, kanë dëbuar rreth një milion, shumicën drejt Shqipërisë dhe kanë djegur mëse 400 qytete dhe fshatra. Në Kosovë pas luftës kanë rezultuar 5.650 persona të zhdukur. Kosovarë të rrëmbyer e të zhdukur nga forcat serbe gjatë luftës pas përfundimit të saj janë gjetur edhe në burgjet e Serbisë dhe janë liriuar me ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar.
Kosova vazhdon të kërkojë zbardhjen e fatit të qytetarëve të saj të zhdukur dhe me këtë mesazh fotografitë e të pagjeturve janë vendosur e rivendosur nga familjarët në rrethinat e Kuvendit e Qeverisë kosovare, në sheshin qendror të Prishtinës.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme