Meta në Zvicër për takime të rëndësishme

Gjatë vizitës zyrtare në Zvicër, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta u prit nga personalitetet më të larta të këtij vendi si dhe realizoi një takim të veçantë me kryetarin e Bashkisë së Bernës, Alexandër Tschappat.

Meta në Zvicër për takime të rëndësishme

Kryebashkiaku Tschappat shprehu ndjenjat më të ngrohta të miqësisë për Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Ndërsa z. Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, si dhe peshën e kontributin e komunitetit shqiptar në Zvicër. “Zvicra, tha ai, përfaqëson një vend mik të veçantë për të gjithë shqiptarët dhe shkëmbimi i eksperiencave dhe ekspertizës me qytetin e Bernës i kontribuon cilësisë së marrëdhënieve dypalëshe”.

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta në vijim të takimeve me zyrtarë të lartë të Zvicrrës, u prit sot në Bernë nga Presidenti i Këshillit të Shteteve, Dhoma e Lartë e Parlamentit të Zvicrës, Claude Heche.

Meta, shprehu mirënjohjen për mbështetjen gjithnjë në rritje të Zvicrës ndaj Shqipërisë dhe rajonit përmes asistencës zyrtare shtetërore dhe përmes investitorëve të ndryshëm që janë prezentë në Shqipëri. Të dy bashkëbiseduesit, Meta dhe Heche, ndanë bindjen se niveli shumë i mirë i marrëdhënieve ndërpalamentare duhet ngritur në një nivel më dinamik përmes Grupeve të Miqësisë dhe bashkëpunimit mes komisioneve të ndryshme parlamentare. Në përfundim, Meta e ftoi Heche për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë e cila u mirëprit me kënaqësi.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u prit në Bernë nga Presidenti i Këshillit Kombëtar të Parlamentit të Zvicrës, Stephane Rossini.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta e falënderoi kolegun zviceran Presidentin Stephane Rossini për ftesën dhe për pritjen dhe u shpreh se “Zvicra përfaqëson një partner shumë të rëndësishëm për Shqipërinë” dhe se “marrëdhëniet ndërparlamentare në të gjitha nivelet do të kontribuojnë në rritjen e cilësisë së këtij bashkëpunimi”. Ai shprehu vullnetin e palës shqiptare për të mirëpritur investime zvicerane, veçanërisht në kuadër të projektit TAP dhe gazifikimit të Shqipërisë, por edhe në fusha të tjera prioritare si bujqësia, energjia dhe turizmi.

Ndërsa, Presidenti i Këshillit Kombëtar, Stephane Rossini theksoi se “komuniteti domethënës shqiptar në Zvicër i lidh edhe me fort dy vendet duke hapur mundësi të mëdha shkëmbimesh njerëzore dhe komerciale mes Zvicrës dhe Shqipërisë. Kryetari i Kuvendit Meta e ftoi, z. Rossini për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë e cila u mirëprit me kënaqësi.

Gjatë vizitës zyrtare në Zvicër, Kryetari i Kuvendit shoqërohej nga deputeti Fatmir Toçi, Kryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri-Zvicër, Fatmir Xhafaj, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Albana Shtylla Sekretare e Përgjithshme e Kuvendit të Shqipërisë dhe Ambasadori i Shqipërisë në Zvicër, Ilir Gjoni.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme