Kosovë - 11 vjet nga trazirat e marsit në Mitrovicë

Njëmbëdhjetë vite më parë, konkretisht më 17 mars 2004, shpërtheu revolta popullore kundër UNMIK-ut në Mitrovicë.

267238
Kosovë - 11 vjet nga trazirat e marsit në Mitrovicë

"KosovaPress" kujton se trazirat filluan pasi dy fëmijë shqiptar në pjesën veriore të Mitrovicës u mbytën në Lumin Ibër. Disa fëmijë, që mbijetuan, në orët e vona po atë natë, treguan para kamerave se ata ishin ndjekur nga serbë dhe se ishin duke ikur, kur disa nga shokët e tyre u mbytën në lumë.

Të nesërmen (17 mars) filluan protestat në shumë qytete të Kosovës, që shumë shpejt u përshkallëzuan në dhunë. Gjatë këtyre trazirave u dogjën disa shtëpi dhe kisha serbe, diçka e ngjashme ndodhi me shtëpitë shqiptare në pjesët me shumicë serbe.

Serbët u hakmorrën me djegien e disa xhamive joshqiptare në Serbi. 19 persona, prej këtyre 12 shqiptarë, humbën jetën gjatë këtyre trazirave.

Serbët mohuan se kishin shkaktuar mbytjen e fëmijëve, edhe pse dihet se ka pasur shumë herë kërcënime nga serbët ndaj shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës, që ka shumicë serbe.

UNMIK-u, për të mos ndezur situatën, nuk tregoi të vërtetën se çfarë kishte ndodhur. Serbët shfrytëzuan këtë rast për të nxirë aspiratat e politikanëve kosovarë për një Kosovë të pavarur dhe multietnike.

Këto trazira zgjuan nga gjumi shumë vendimmarrës. Të gjithë e kuptuan se shumë pak në Kosovë mund të përmisohej pa zgjidhjen e statusit përfundimtar.

Kofi Annan, asokohe sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, i dha detyrën norvegjezit Kai Eide për hartimin e një raporti, që do të pasqyronte situatën në Kosovë. Eide e mori këtë detyrë shumë seriozisht dhe pas shumë vizitave në Kosovë dhe Ballkan përgjithësisht, ku takoi përfaqësues të të gjitha partive, komuniteteve, feve etj., në tetor 2005 dorëzoi raportin e porositur.

Edhe pse Eide në këtë raport e vuri gishtin në shumë gjëra, që mund të përmirësohen, ai konkludon se shumë gjëra janë përmirësuar në Kosovë nga viti 1999 dhe rekomandon se koha ka ardhur për fillimin e bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës.

Disa ditë më vonë, të njëjtin rekomandim për Këshillin e Sigurimit të OKB-së e bën edhe Kofi Annan. Kurse më 17 shkurt 2008, bazuar në këtë propozim, Kosova shpallet shtet i pavarur dhe sovran. Kushtetuta e Kosovës, që i jep asaj të gjitha kompetencat e shtetit, hyri në fuqi më 15 qershor 2008.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme