Avramopoulos: Serbia të forcojë kontrollin e kufirit me Hungarin

Avramopulos, në konferencën e përbashkët për mediat, ka thënë se Serbia duhet të forcojë kontrollin dhe mbikëqyrjen në kufirin me Hungarinë dhe t'i kushtojë vëmendjen trafikimit të qenieve njerëzore

250421
Avramopoulos: Serbia të forcojë kontrollin e kufirit me Hungarin

Komisioneri për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë në Komisionin Evropian, Dimitris Avramopoulos, është takuar në Beograd me Kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç me të cilin ka biseduar për flukset e emigrimit nga Kosova, negociatat e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, për sundimin e ligjit dhe keqpërdorimit të azilit nga disa qytetarë të Serbisë.

Avramopulos, në konferencën e përbashkët për mediat, ka thënë se Serbia duhet të forcojë kontrollin dhe mbikëqyrjen në kufirin me Hungarinë dhe t'i kushtojë vëmendjen trafikimit të qenieve njerëzore dhe që, para hapjes së Kapitullit 24 në negociatat me BE-në, vetë duhet të ndërmarrë masa të ashpra kundër atyre qytetarëve të cilët keqpërdorin të drejtën për azil.

"Edhe pse Kosova dominon në lajmet kryesore, nuk duhet të harrojmë se qytetarët e Serbisë përbëjnë numrin më të madh të emigrantëve në vendet evropiane kur është fjala për vendet me të drejtën për lëvizje pa viza. Kësaj çështjeje duhet urgjentisht ti kushtohet vëmendja", vuri në dukje Avramopulos në prononcimin e tij për gazetarët.

Parë nga një periudhë më të gjatë kohore, në mënyrë që procesi i emigrimit nga Kosova të zvogëlohet, sipas Avramopulos, nevojitet zhvillimi ekonomik.

Ai tha se me Kryeministrin Vuçiç dhe me Ministrin e Brendshëm, Nebojsha Stevanoviç, përveç parandalimit të fenomenit të migracionit, ka biseduar për çështjen e azilantëve, përfshirjen sociale dhe kulturore të komunitetit romë si dhe në lidhje me përforcimin e bashkëpunimit operativ me vendet anëtare të BE-së dhe agjencitë evropiane.

Kryeministri i Serbisë Vuçiç bëri të ditur se para Komisionerit Evropian shprehu qëndrimin se Serbia është burim dhe faktor i stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe se do të vazhdojë dialogun me vendet e rajonit.

"Serbia ka marrëdhënie të shkëlqyera dhe të mira me të gjithë fqinjët e saj. Njëkohësisht, duam që këto marrëdhënie t'i përmirësojmë edhe më tej. Ne do të vazhdojmë dialogun me të gjithë ata me të cilët për çështjet e caktuara nuk pajtohemi dhe do ta vazhdojmë dialogun edhe në Bruksel për çështjen e Kosovës", tha kryeministri serb.

Duke iu referuar çështjes së emigrimit nga Kosova, ai tha se Serbia në asnjë mënyrë nuk është fajtore dhe as përgjegjëse për emigrimet që, siç theksoi, tronditën Evropën, por ka lejuar lëvizjen e lirë të shqiptarëve të Kosovës në përputhje me marrëveshjen me Brukselin.

"Ne gjithashtu ndërmorëm aksionin e shpejtë, dhe marrëveshjen që e kemi arritur me Brukselin dhe qeveritë tjera si Gjermania, Hungaria dhe Austria, që këta njerëz, të cilët tentuan të keqpërdorin këtë lloj të besimit ti kthejmë aty nga kanë ardhur", ka deklaruar Vuçiç.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme