Thaçi: Zhvillimi ekonomik, çelësi i suksesit të Kosovës

Në një intervistë për gazetën prestigjioze gjermane “Bild” Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi tha se “zhvillimi ekonomik dhe integrimet euro-atlantike janë çelës i suksesit të Kosovës”.

Thaçi: Zhvillimi ekonomik, çelësi i suksesit të Kosovës

Thaçi tha për gazetën “Bild” se “emigrimi që e keni parë në javët e fundit nuk është rrëfimi i vetëm për Kosovën. Shumë njerëz po kthehen nga Perëndimi dhe po investojnë në shtetin më të ri të Evropës. Kam këshilltarë të rinj dhe shikoj shumë biznesmenë të rinj që janë kthyer nga Gjermania për të investuar paratë e tyre në Kosovë”.

“Ne kemi nevojë për BE-në për të mbajtur procesin e zgjerimit gjallë, sepse nuk kemi asnjë rrugë tjetër përveç se te jemi pjesë e familjes evropiane dhe të NATO-s. Kosova përbën një rrëfim të një ndërhyrjeje të suksesshme ndërkombëtare më 1999, ndërhyrje kjo e cila ua solli lirinë kosovarëve nga regjimi i egër i Millosheviçit, por ajo që neve na duhet sot është që i tërë Ballkani të ketë një zhvillim të hovshëm ekonomik. Mundësitë nuk do të jenë të pakta dhe besoj se procesi i iniciuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, për nxitjen e investimeve rajonale është një nga mënyrat më të mira për të jetësuar këtë vizion”, nënvizoi Thaçi.

Duke folur rreth çështjes së emigrantëve ilegalë nga Kosova Thaçi tha se “pamjet e kosovarëve duke braktisur Kosovën janë trishtuese, por ne do të punojmë së bashku me Gjermaninë dhe partnerët e tjerë për të siguruar që ky fluks i papritur të ndalet”.

“Ne jemi dëshmitarë të rënies se numrit të emigrantëve ilegalë ditëve të fundit dhe ne shpresojmë se Gjermania mund të fillojë t’i riatdhesojë qytetarët tanë në mënyrë që të tjerët të shohin se vendin e kanë në Kosovë”, u shpreh Thaçi.

Lidhur me papunësinë në vend, zëvendëskryeministri Thaçi theksoi se “papunësia në Kosovë është në shkallë prej 30 %, por papunësia në mesin e të rinjve është shumë e madhe, deri në 60%. Kjo është fusha në të cilën duhet të punojmë më shumë. Kosova nuk është më e korruptuara, ose më e pashpresë sesa vendet e tjera të Ballkanit. Nëse shkoni në Athinë, Beograd apo Sarajevë, do të gjeni rrëfimin e njëjtë: shumica e njerëzve, veçanërisht shtresa e mesme, ndihen të shtypur”.

“Ndryshimi nuk do të vijë brenda natës. Është një rrugë e gjatë për të arritur nivelin e zhvillimit ekonomik të cilin qytetarët e presin”, tha Thaçi.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme