Kosovë-Serbi - Mustafa: Në Bruksel për sistemin gjyqësor në veri

Në bisedimet e 9 shkurtit, që do të zhvillohen në Bruksel mes Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, temat qendrore do të jenë sistemi gjyqësor në veriun e Kosovës dhe kodi telefonik.

205488
Kosovë-Serbi - Mustafa: Në Bruksel për sistemin gjyqësor në veri

Këtë e konfirmoi në një intervistë për RTK-në, Kryeministri Mustafa.

“Sa i përket sistemit gjyqësor është punuar shumë, kanë qenë 16 takime vetëm për këtë temë. Ne nuk jemi të interesuar të hapim këtë çështje nga fillimi. Nëse ka pajtueshmëri për të arritur marrëveshje në disa nga çështjet, që kanë mbetur të përfundohen, do t’i përfundojmë, do t’i mbyllim. Marrëveshja për gjyqësorin do të arrihet gjithmonë duke ruajtur sistemin e gjyqësisë në Kosovë dhe gjithmonë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Duke folur për marrëveshjen për energjinë në veri, Mustafa ka sqaruar se nuk do të lejojnë asnjë distributor tjetër përveç KEDS-it. “Për energjinë është diskutuar në nivelin teknik, ka pas përafrime dhe largime. Ne nuk do të lejojmë distributor tjetër në veri, në marrëveshje do të jetë vetëm KEDS-i, por kjo temë në këtë takim nuk do të jetë, por në takimet e tjera”, cilësoi ai.

Mustafa shtoi se tani është e rëndësishme edhe shuarja e Mbrojtjes Civile në veri dhe hapja e Urës së Ibrit në Mitrovicë. Ai tha se këto tema i kanë hapur para ndërkombëtarëve dhe se për to do të diskutohet në Bruksel.

“Ka pas afate, të cilat është dashur të realizohen me mbështetjen e BE-së, është çështje që duhet të diskutohet dhe përse nuk po implementohet kjo çështje dhe hapja e urës do të mundësonte edhe realizimin e marrëveshjeve të arritura atje”, është shprehur shefi i Prishtinës zyrtare.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare në deklarimet e tyre kanë thënë se "Parku i Paqes", i cili zëvendësoi barrikadën me zhavorr, shpejt do të largohet, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Nga ana tjetër, Kryeministri Isa Mustafa siguron qytetarët e Kosovës se në bisedimet, që do të zhvillohen në Bruksel, nuk do të flasin për Kombinatin Trepça. Ai tha se nuk ka pasur kërkesa për të biseduar për këtë çështje as nga Serbia.

“Ne nuk do të pranojmë që çështja e Trepçës të vihet në tavolinë. Ata mund të kërkojnë, por ne nuk pranojmë që Trepça të jetë pjesë e dialogut, është edhe mendim i ndërkombëtarëve jo vetëm i yni. Kjo është pasuri e Kosovës dhe për këtë çështje ne nuk do të diskutojmë. Për Trepçën do të vendosim në Kuvendin e Kosovës dhe jo të negociojmë me Serbinë”, ka theksuar Mustafa.

Kryeministri i Kosovës ka nënvizuar gjithashtu se Trepça është tani në pronësi të Kuvendit, i cili do të vendosë me votat e deputetëve.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme