Mustafa: Trepça nuk mbrohet duke shkatërruar Prishtinën

Në mbledhjen e Qeverisë , Kryeministri Kosovës Isa Mustafa ka shprehur keqardhje për dhunën e ushtruar nga protestuesit e demonstratave të djeshme të cilat, sipas tij, kishin për qëllim dëmtimin e pronës publike.

200236
Mustafa: Trepça nuk mbrohet duke shkatërruar Prishtinën

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, Kryeministri Isa Mustafa ka shprehur keqardhje për dhunën e ushtruar nga protestuesit e demonstratave të djeshme të cilat, sipas tij, kishin për qëllim dëmtimin e pronës publike dhe institucionet e Kosovës për përfitime politike të partive opozitare. Mustafa tha se, qytetarët janë keqpërdorur nga partitë politike për të shkaktuar trazira dhe për të ardhur në pushtet me forcë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës respekton të drejtën e qytetarëve për të protestuar, por tendenca e përdorimit të protestave për të dëmtuar pronat publike dhe private, për të sulmuar Policinë dhe Shtetin, është e papranueshme në një shoqëri demokratike” ka deklaruar Mustafa. Ai vlerëson se shkaktar i dhunës së djeshme ishte ultimatumi i dhënë nga ana e organizatorëve të protestuesve, për t’u hequr kordonët e policisë që mbronin institucionet shtetërore, duke shtuar se, në një vend ku sundon ligji, ultimatumet ndaj institucioneve të pavarura janë të patolerueshme.

“Sulmi i opozitës ndaj Policisë së Kosovës, është sulm kundër shtetit të së drejtës, është sulm kundër vlerave më të larta të demokracisë, dhe është sulm kundër institucioneve të pavarura” ka theksuar kryeministri Mustafa. Vlerësimi i Qeverisë në mbledhjen e sotme ishte se, në protestën e thirrur për Trepçën dhe shkarkimin e një ministri për shkak të deklaratës së tij të pamatur, për të cilën ai ka kërkuar falje, synimi i protestuesve ka qenë dhuna dhe ardhja në pushtet përmes trazirave.

Për këtë shkak, sipas deklarimit të Qeverisë, protestës së djeshme të opozitës nuk i janë bashkuar nënat e të pagjeturve, veteranët e luftës, minatorët e Trepçës dhe asnjë organizatë civile sepse, sipas kryeministrit Mustafa, këto parti politike nuk përfaqësonin interesin qytetar, por vetëm atë politik të subjekteve që e organizuan protestën.

Në mbledhjen e rregullt të Qeverisë Mustafa u tha po ashtu se, Trepça nuk mbrohet me dhunë ndaj policisë dhe shkatërrim të pasurisë shtetërore. Trepça, tashmë është mbrojtur me Ligjin i cili pamundëson likuidimin e saj dhe do të mbrohet përfundimisht me Ligjin e veçantë, për të cilin janë dakorduar Qeveria, minatorët dhe menaxhmenti i kompanisë. “Trepça nuk mund të mbrohet nga ata që shkatërrojnë dhe e vandalizojnë zemrën e Prishtinës, kurse e kanë marrë mandatin ta ndërtojnë Prishtinën” deklaroi kryeministri i Kosovës.

Qeveria i garanton të gjithë qytetarët e Kosovës, se situata e sigurisë është nën kontroll të plotë të institucioneve të pavarura dhe kushtetuese, dhe se nuk do të tolerohet anarkia dhe destabilizimi i vendit që ju shkon në interes minuesve të shtetit ligjor, porositi i pari i Qeverisë së Kosovës e cila kërkon nga të gjithë qytetarët që të mos bien pre e partive politike

Po ashtu, Qeveria kërkon nga opozita që kërkesat e tyre t’i ushtrojnë dhe t’i zgjidhin në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për çka e kanë hapësirën ligjore dhe kushtetuese. Në këtë mbledhje të Qeverisë, ka raportuar edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni. Ai ka vlerësuar se ultimatumi i protestuesve drejtuar policisë së Kosovës për të hequr barrikadat ka sjell deri tek trazirat dhe konfrontimi i demonstruesve me policinë. Sipas ministrit Hyseni, gjatë protestave janë lënduar 92 policë dhe 20 demonstrues.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme