Meta në Maqedoni: Të investojmë në urat e bashkëpunimit

Kryetari i parlamentit shqiptar Ilir Meta në fjalën që mbajti në parlamentin maqedonas vuri theksin në rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit, dhe bëri thirrje për të investuar në urat e bashkëpunimit.

Meta në Maqedoni: Të investojmë në urat e bashkëpunimit

Në kuadër të vizitës dyditore që po zhvillon në Maqedoni, Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta zhvilloi një takim me homologun e tij, Trajko Veljanoski.

Më pas, kreu i Kuvendit Ilir Meta, iu drejtua deputetëve në Parlamentin maqedonas me një fjalim, ku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Parlamentet tona duhet ta konkretizojnë më tej bashkëpunimin e tyre ndërmjet grupeve të miqësisë. Duhet të inkurajojmë rritjen e frekuencës së kontakteve mes të dy vendeve”, tha Meta.

“Sot jemi më mirë se ç’kemi qenë dje, por për të parë me realitet ende nuk jemi në pritshmëritë tona. Standardet e bashkëjetesës dhe harmonisë janë ende objektiva që duhen arritur. E them këtë në pozitat e një politikani optimist për të ardhmen e përbashkët”, tha Meta.

Kreu i Kuvendit, Meta theksoi se “Shqipëria dhe populli shqiptar mbështesin stabilitetin politik, ekonomik social-kulturor të Maqedonisë”.

“Besojmë se duhet të investojmë edhe më shumë në urat e bashkëpunimit. Popujt tanë janë të famshëm në Ballkan si mjeshtër të ndërtimit të urave të gurta. Duhet të ndjekim dhe në politikë këtë shembull”, u shpreh Meta.

Kreu i Kuvendit, theksoi se, “zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit na afron përballë njëri-tjetrit, por edhe përballë BE”.

Meta u shpreh se Shqipëria nuk beson në ndryshimin e kufijve në Ballkan por në zhbërjen e tyre të plotë.

“Ne nuk besojmë në ndryshimin e kufijve në Ballkan, por besojmë në zhbërjen e tyre të plotë ashtu siç ka bërë Bashkimi Evropian”.

Duke folur për bashkëpunimin ekonomik, Kreu i Kuvendit u shpreh se tashmë nuk ka më konkurrencë shtetesh, por Konkurrencë rajonesh në tregjet ekonomikë.

Në planetin tonë konkurrenca e tregjeve po zhvillohet, jo më midis shteteve, por midis rajoneve”.

Duke falënderuar Maqedoninë për mbështetjen që i jep Kosovës dhe dialogut me Serbinë, Meta u shpreh se, ndjen krenari kur sheh investime shqiptare në Maqedoni, ashtu siç kënaqet kur sheh maqedonas që kalojnë pushimet në bregdetin shqiptar.

Duke folur për sulmet terroriste në Paris, Meta u shpreh se, “ngjarjet që ndodhën në Paris na tronditë të gjithëve. Si evropianë ne ndjehemi natyrshëm pranë parisienëve”.

Meta theksoi se, “duhet të forcojmë përpjekjet e përbashkëta për të realizuar lidhjen hekurudhore mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, për t’i dhënë peshë korridorit 8 në tërësi dhe dy vendeve tona në veçanti”.

Me hapjen e rrugës së Arbrit, Kreu i Kuvendit nënvizoi se, “do të ketë një afrim të dy kryeqyteteve tona dhe duhet që edhe pala maqedonase të punojë për ndërtimin e aksit në territorin e saj”.

 


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme