Shqipëria, solidaritet me Francën për sulmin ndaj "Charlie Hebdo"

Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë është mbledhur në qendër të kryeqytetit në shenjë sensibilizimi në nder të kolegëve francezë të vrarë në sulmin terrorist ndaj selisë së revistës satirike “Charlie Hebdo”.

Shqipëria, solidaritet me Francën për sulmin ndaj "Charlie Hebdo"

Në homazhe morën pjesë edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati; ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe ambasadori francez në Tiranë, Bernard Fitoussi.

“Ngjarja e rëndë, që tronditi Francën, ka goditur të gjithë botën e gazetarisë. Ata sot janë heronjtë tanë. Janë emblema e gazetarisë, e misionit për të mbërritur tek e vërteta”, u shpreh kreu i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Aleksandër Çipa.

Ambasadori francez, Bernard Fitoussi, duke falënderuar pjesëmarrësit, theksoi se vendi i tij është plagosur, por Franca sërish do të ringrihet në këmbë. “Sot Franca u plagos, por nesër do të ngrihet më e fortë. Falënderoj Shqipërinë dhe shqiptarët, që treguan ndjeshmëri të lartë kundrejt kësaj ngjarjeje”, tha ambasadori francez, Fitoussi, i cili në vend të minutës së heshtjes kërkoi që të gjithë të pranishmit të këndonin Himnin e Shqipërisë.

Shqipëria është pranë Francës në këtë moment delikat. Sot fjalët janë të tepërta. Ne shprehim dhimbjen tonë dhe mbështesim popullin francez në këto çaste të vështira”, tha ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati.

Gjatë ceremonisë, pjesëmarrësit mbajtën në duar qirinj për nder të shpirtrave të dhjetë gazetarëve, që humbën jetën pasditen e djeshme në Francë, si dhe fotografi të tyre.

Nga ana tjetër, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, i ka dërguar sot një mesazh ngushëllimi Presidentit të Francës, Francois Hollande, për viktimat dhe të plagosurit nga sulmi terrorist në zyrat e revistës satirike “Charlie Hebdo”, në Paris. Nishani ka shprehur ngushëllimet për viktimat e sulmit terrorist, ndërsa ka shtuar se populli shqiptar është pranë popullit francez në këto momente të vështira.

Edhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë e ka dënuar ashpër sulmin terrorist në zyrat e revistës “Charlie Hebdo”, në kryeqytetin francez, duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për viktimat e kësaj ngjarjeje.

Kjo masakër dhe ky akt është një nëpërkëmbje arrogante ndaj çdo vlere njerëzore dhe një sulm i ulët e i dënueshëm nga çdo normë morale, fetare e universale.

Terrori nuk mund të jetë kurrë pjesë e ndonjë arritjeje apo shpëtimi, terrori nuk prodhon veçse kaos e ligësi. Ai merr jetë njerëzish të pafajshëm dhe është një goditje kundër vlerave demokratike universale dhe vlerave njerëzore.

Ndërsa për ish-ambasadorin shqiptar në Francë, ajo çka ndodhi këtë të mërkurë në zemër të Parisit ishte një kronikë e paralajmëruar më herët, kjo për vetë faktin se revista “Charlie Hebdo” dhe gjithë Franca ka qenë vazhdimisht nën shënjestrën e sulmeve terroriste.

Për ish-ambasadorin e Shqipërisë në Paris, revista satirike ka qenë mjaft provokuese dhe kjo ngjarje duhet të shërbejë për një sensibilizim të opinionit publik.

 

A. Halluni - Shqipëri


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme