Operacioni “Burimi i Paqes”

Qëllimi ynë është paqja
objektivi është terrorizmi

Kosovë 2015 - Odat ekonomike kërkojnë fuqizimin e sektorit privat

Fuqizimi i mëtejmë i sektorit privat si bartës i zhvillimit ekonomik të vendit duhet të jetë fokusi kryesor i punës së institucioneve të Kosovës në vitin 2015.

Kosovë 2015 - Odat ekonomike kërkojnë fuqizimin e sektorit privat

Kjo u tha gjatë konferencës së përbashkët për media të drejtuesve të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, të organizuar me rastin e ndërrimit të moteve.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, theksoi rëndësinë e vazhdimit të partneritetit midis dy odave ekonomike me qëllim të harmonizimit të përpjekjeve që mundësojnë përmirësimin e mjedisit për të bërë biznes. Ai përmendi disa prej problemeve me të cilat përballen bizneset e të cilat kanë dalë si të gjetura nga dy anketa të kryera së fundmi me mbi 700 biznese anembanë Kosovës. Në mesin e problemeve me të cilat përballen bizneset kosovare, Gërxhaliu theksoi varfërinë, korrupsionin, ekonominë joformale, sundimin e dobët të ligjit, qasjen e kufizuar në financa, mungesën e stabilitetit politik, krimin e organizuar, nivelin e ulët të teknologjisë ekonomike, furnizimin e rënduar me energji elektrike, etj. Ai shtoi se anketa e dytë e kryer nga Oda Ekonomike e Kosovës ka nxjerrë si probleme të tjera kamatat e larta, mungesën e burimeve alternative të financimit, vështirësinë në marrjen e kredive, mospagesat në kohë, mungesën e porosive, të kapaciteteve teknike, të stafit të kualifikuar dhe mungesën e hapësirës dhe pajisjeve. Gërxhaliu tha se anketa ka nxjerrë edhe një të gjetur pesimiste sipas të cilës, vetëm 15% e bizneseve të anketuara presin që punësimi të rritet, derisa 21% e bizneseve presin që numri i të punësuarve të zvogëlohet, ndërsa pjesa e mbetur e rreth 64% bizneseve të anketuara presin që punësimi të mbetet i njëjtë.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, foli për veprimet të cilat duhen ndërmarrë në vitin 2015 me qëllim kryesor të fuqizimit të sektorit privat. Në emër të dy odave ekonomike, ai prezantoi rekomandimet që duhen zbatuar në vitin 2015, si krijimin e legjislacionit të përshtatshëm që do të mundësonte fuqizimin e sektorit privat dhe futjen në fuqi të vendimit të qeverisë së Kosovës të prillit të vitit 2014 për lehtësira fiskale dhe pushime tatimore për investimet e reja. Me qëllim të krijimit të parakushteve për zhvillim të sektorit të prodhimtarisë, Zeka tha se duhet zgjeruar më tej lista e mallrave të liruara nga detyrimet doganore. Poashtu ai theksoi rëndësinë e fuqizimit të sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit, ngritjes së efikasitetit të punës së gjykatave dhe përmirësimit të zbatueshmërisë së kontratave, që do të mundësonte edhe përmirësimin e qasjes në financa, si dhe luftimin e ekonomisë joformale dhe kontrabandës.

Në mesin e rekomandimeve të tjera të prezantuara nga drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane u përmenden trajtimi më serioz i investitorëve të huaj, kompletimi dhe funksionalizimi i procesit të fiskalizimit, nxjerrja e ligjit për ndërmarrjen Trepça, përzgjedhja e kompanisë për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re, por edhe mbështetja për projektet e tjera që mundësojnë ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, investimet në rritjen e performancës së Postës dhe Telekomit të Kosovës, ndryshimi i qasjes në privatizim, përmirësimi i praktikave të prokurimit publik si dhe prezantimi i lehtësirave për kompanitë që synojnë të investojnë në hulumtim dhe zhvillim.

Drejtuesit e dy organizatave të biznesit u zotuan për një qasje më aktive karshi institucioneve me qëllim të realizimit të rekomandimeve dhe shmangies së problemeve me të cilat përballen bizneset e sektorit privat dhe krijimit të kushteve për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Ata poashtu kërkuan edhe funksionalizimin më të shpejtë të Këshillit Kombëtar të Zhvillimit Ekonomik dhe rritjen e dinamikës së punës së Këshillit Konsultativ Ministri e Financave – Administratë Tatimore – Doganë dhe Komunitet i Biznesit, si dhe ngritjen e kapaciteteve të disa prej agjencive kyçe në Kosovë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme