Kastrati: Forca e Sigurisë së Kosovës synon anëtarësimin në NATO

"FSK-ja synim kryesor ka përafrimin në anëtarësim në Forcat Paqeruajtëse në NATO", theksoi në një intervistë për "KosovaPress" Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Kadri Kastrati.

Kastrati: Forca e Sigurisë së Kosovës synon anëtarësimin në NATO

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) këtë vit për herë të tretë shpallet institucioni më i besueshëm i vendit, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, për çështje të profesionalizmit dhe gatishmërisë në detyrat dhe misionin e saj.

Mes arritjeve të tjera, për shkak të të cilave ka fituar besimin e qytetarëve, janë edhe disa trajnime të shkollimeve dhe ushtrimeve të ndryshme, për të cilat kanë ndihmuar edhe 114 ekspertë, përfshirë oficerë dhe nënoficerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropa dhe shtete të tjera të NATO-s.

"Përmes këtyre aktiviteteve FSK-ja synim kryesor ka përafrimin në anëtarësim në Forcat Paqeruajtëse në NATO", theksoi në një intervistë për "KosovaPress" Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Kadri Kastrati.

"Kjo nuk është dëshirë e jona e parealizueshme , por është dëshirë reale që ne si Forcë e Sigurisë së Kosovës jemi të gatshëm dhe kemi bërë shumë kërkesa në drejtime të ndryshme që Forca e Sigurisë së Kosovës të mundet të marrë pjesë në operacionet paqeruajtëse, operacionet humanitare e të tjera operacione të udhëhequra nga NATO, Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian. Mirëpo, duke pasur parasysh që katër shtete të NATO-s nuk e kanë njohur Kosovën akoma i kemi disa vështirësi, por unë besoj që shumë shpejt do të tejkalohen", tha Kastrati.

Shumë shpejt, vijoi ai, presim që edhe Kuvendi i Kosovës do të bëjë ndryshimet e kërkuara edhe Forca e Sigurisë së Kosovës do ta shndërrojë misionin e vet në mision ushtarak dhe pastaj do të hapen disa rrugë për të ecur përpara drejt këtyre detyrimeve që ne me padurim i presim edhe jemi të gatshëm që t’i përballojmë të gjitha këto detyra që na presin në të ardhmen.

Sipas tij, Forca e Sigurisë së Kosovës, është e gatshme për secilin rast emergjent dhe është e gatshme që në mënyrë profesionale t’u dalë në ndihmë, si institucioneve qendrore ashtu edhe autoriteteve civile.

Duke folur për rastet emergjente, ai përmend edhe dy raste të kërkim-shpëtimit kur kjo forcë ka ndihmuar, si rasti i Obiliqit dhe ai i Liqenit të Ujmanit. Veç kësaj, FSK-ja gjatë vitit që po e lëmë pas ka përfunduar edhe operacione të çminimit dhe kjo për Kastratin është gjë shumë humane dhe patriotike.

I pyetur nga "KosovaPress" se sa janë gjasat që në vitin që po hyjmë kjo forcë të blejë armatime të rënda, Kastrati u shpreh se janë duke bërë gjithë përgatitjet, por jo vetëm për çështje të armatimit, por edhe për legjislacion, trajnime dhe infrastrukturë.

Bashkëpunimi që FSK-ja, ka me vendet e huaja, sipas Kastratit është i shkëlqyeshëm dhe kjo dëshmohet edhe nga pjesëmarrja në shumë konferenca të ushtrive të Evropës. Ndërkaq, si partneritet më të fuqishëm Kastrati ka veçuar atë me Gardën Nacionale të shtetit Iowa të SHBA-ve.

"Unë do ta kisha përmendur një shtet që ne e kemi partner tonin dhe përkrahjen të shkëlqyeshme, të fuqishme për avancimin e FSK-së, që është partneriteti me Gardën Nacionale të Iowas. Kjo, bazuar në të gjitha vlerësimet edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe nga ne këtu, është partneriteti më i fuqishëm që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me cilindo shtet në botë , kështu që neve kjo na ka ndihmuar shumë që Forca e Sigurisë së Kosovës të ecë drejt zhvillimit të saj", tha Kastrati.

Ai shtoi se janë duke u ngritur edhe kapacitete rajonale, të cilat kanë të bëjnë me raste të kërkim-shpëtimit në male, në ujëra dhe në vende urbane, dhe se këto kapacitete i kanë pranuar edhe vendet e rajonit. Ndërkaq, këto njësi presin që të certifikohen brenda dy viteve me certifikatë të Kombeve të Bashkuara.

Gjenerallejtënant Kastrati thekson se Forca e Sigurisë së Kosovës është forcë multietnike, forcë e të gjithë qytetarëve të Kosovës, që do të jetë gjithmonë e gatshme që të veprojë në të mirë të të gjithë qytetarëve, si në vend ashtu edhe në rajon.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme