Isa Mustafa: Shqipërinë e konsideroj si Kosovën, si vendin tim

Shqipërinë dhe Tiranën e konsideroj si Prishtinën, si vendin tim, deklaron Kryeministri i ri i Kosovës, Isa Mustafa, në një intervistë televizive në kryeqytetin kosovar.

Isa Mustafa: Shqipërinë e konsideroj si Kosovën, si vendin tim

I pyetur se “kur e shihni veten si Kryeministër i Kosovës në Beograd dhe kur në Tiranë”, Mustafa është përgjigjur se, “Tirana është deklaruar e hapur në çdo moment që të shkoj, kjo flet për marrëdhënie krejtësisht tjetër, që e kemi me Tiranën”.

“Edhe në Beograd do të shkoj në momentin që të kem ftesë, ose në moment që të bëhet ndonjë takim i kryeministrave atje. Nuk do të hezitoj, do të shkoj në Beograd, sepse është mirë që të kemi kontakte”, tha Isa Mustafa duke u shprehur për qetësim të marrëdhënieve dhe bashkëpunim të dobishëm edhe për Kosovën edhe për Serbinë.

Por, ka vijuar Kryeministri kosovar, “natyrisht që para Beogradit kam dëshirë të vizitojë Berlinin, Uashingtonin, sepse janë dy qendra, të cilat na kanë ndihmuar shumë, të cilat i kemi pasur gjithmonë përkrahje dhe nga të cilat jemi të orientuar edhe në pikëpamje të zhvillimit ekonomik, kulruror, arsimor, social të Kosovës”.

“Ku do të shkoj, varet edhe prej agjendës, edhe prej ftesave”, ka shtuar Mustafa, duke folur në televizionin kosovar "RTV 21" për vizitat e para si Kryeministër, pasi të premten mori detyrën, i zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës më 9 dhjetor.

Sakaq, ka theksuar Kryeministri i Kosovës, “Shqipëria është diçka krejtësisht tjetër. Shkuarja në Shqipëri imja nuk është shkuarje formale atje. Unë Shqipërinë dhe Tiranën e konsideroj si Prishtinën, si vendin tim”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të tjera, Kryeministri i Kosovës tha se “sa i përket Tiranës, ne jemi të interesuar të bashkëpunojmë, të bashkëpunojmë ngushtë”.

“Nuk kam dëshirë që bashkëpunimi ynë me Tiranën të jetë bashkëpunim formal, ashtu siç mund të jetë formal me vendet e tjera në Ballkan ose në Evropë. Me Tiranën ne duhet të hapim kufijtë, me Tiranën ne duhet të arrijmë integrimin në fushën e arsimit, në fushën e kulturës, në fushën e shëndetësisë, në fushën e ekonomisë. Me Tiranën ne duhet të bëjmë këmbime të mëdha ekonomike, kulturore, arsimore. Edhe duhet të shkojmë më larg sesa që janë vetëm marrëdhëniet mes dy shteteve. Unë do të bashkëpunoj fuqishëm me qeverinë e Shqipërisë pa asnjë lloj paragjykimi që atje është një parti tjetër e para, ne jemi tjetra, këtu marrëdhëniet dhe relacionet partiake nuk vijnë në shprehje, vijnë në shprehje relacionet shqiptare, marrëdhëniet ndërshqiptare, marrëdhëniet shtetërore, që ne duhet t’i ndërtojmë dhe një liberalizim maksimal i raporteve, të cilat duhet t’i kemi me Tiranën”, theksoi Kryeministri i Kosovës, Mustafa.

Në seancën e Kuvendit, ku u zgjodh Kryeministër, Mustafa, në ekspozenë e tij ka theksuar se “do të përgatitet projekti për lidhjen hekurudhore me Shqipërinë” dhe “do të unifikohet tregun energjetik me Shqipërinë", ndërsa ka folur edhe për bashkëpunime të tjera Kosovë-Shqipëri.

Sipas tij, kultivimi i relacioneve të veçanta kulturore me Shqipërinë dhe me vendet e tjera, ku jetojnë shqiptarët, do të thellohet.

“Tashmë, Kosova dhe Shqipëria kanë krijuar Kalendarin e Përbashkët Kulturor. Qeveria do të vazhdojë të angazhohet në zbatimin e këtij kalendari, duke e pasuruar atë përvitshëm, edhe për rritjen e buxhetit për aktivitet e përbashkëta, që organizohen përgjatë vitit në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor”, theksoi Mustafa, ndërsa shprehu përkushtimin për marrëdhënie edhe me të gjitha shtetet fqinje e të rajonit drejt integrimeve euroatlantike.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme