Kosovë: Thaçi i dorëzoi detyrën kryeministrit të ri, Isa Mustafa

Sot në Prishtinë, në ambientet të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në një ceremoni shtetërore, Isa Mustafa pranoi postin e kryeministrit nga Hashim Thaçi.

146342
Kosovë: Thaçi i dorëzoi detyrën kryeministrit të ri, Isa Mustafa

Sot në Prishtinë, në ambientet të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në një ceremoni shtetërore, Isa Mustafa pranoi postin e kryeministrit nga Hashim Thaçi, tashmë ish-kryeministri i cili në katër vitet e ardhshme do të jetë Zëvendës kryeministri i Parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Republikës së Kosovës e cila do të udhëhiqet nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës së kryeministrit të Kosovës filloi me pritjen e kryeministrit të ri, Isa Mustafa nga paraardhësi i tij në këtë post, Hashim Thaçi. Të dytë, fillimisht dëgjuan intonimin e himnit të Kosovës dhe më pas parakaluan para Gardës së Nderit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke u ndalur para përfaqësuesve të mediave dhe shtrënguar duart. Pas kësaj, nën shoqërimin e buzëqeshjes së tyre, dyshja e cila do ta udhëheqë vendin në katër vitet e ardhshme, Mustafa-Thaçi, hyri në ndërtesën e Qeverisë duke u drejtuar në kabinetin e Kryeministrit të Kosovës.

Aty, Thaçi edhe përfundimisht ja kaloi detyrën e kryeministrit Mustafës i cili, menjëherë pas dorëzim-pranimit të detyrës së kryeministrit të Kosovës, ka caktuar mbledhjen e parë të përbërjes së re të kabinetit qveritar, nga ora 15:00.

Udhëheqës të përbërjes së re të Qeverisë së Kosovës, përveç kryeministrit Isa Mustafa (LDK) dhe zv. Kryeministrit të Parë dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Hashim Thaçit (PDK), janë edhe zv. Kryeministri dhe Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala (LDK) dhe zv. Kryeministri Branimir Stojanoviç (Lista Serbe).

Në Qeverinë e re, nga 7 ministri i kanë takuar PDK-së dhe LDK-së, Listës Serbe si parti politike e komunitetit pakicë serb i kanë takuar t’i udhëheq dy poste ministrore, kurse grupit parlamentar të pakicave tjera jo-serbe “6+” i ka takuar të udhëheq një ministri. Po ashtu, në këtë Qeveri do të jenë edhe dy ministra pa portofol, Edita Tahiri nga PDK dhe Rasim Demiri nga koalicioni boshnjak VAKAT.


Qeveria e re e cila do ta udhëheq Kosovën në periudhën 2014-2018 do t’i ketë këta ministra:


Ministria e Drejtësisë - Hajredin Kuçi (PDK)


Ministria e Zhvillimit Ekonomik – Blerand Stavileci (PDK)


Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural - Memli Krasniqi (PDK)


Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor – Ferid Agani (PDK)


Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë - Arsim Bajrami (PDK)


Ministria e Integrimit Evropian - Bekim Qollaku (PDK)


Ministria e Diasporës – Valon Murati (PDK)


Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës - Haki Demolli (LDK)


Ministria e Punëve të Brendshme – Skënder Hyseni (LDK)


Ministria e Financave - Avdullah Hoti (LDK)


Ministria e Tregtisë dhe Industrisë - Hikmete Bajrami (LDK)


Ministria e Shëndetësisë – Imet Rrahmani (LDK)


Ministria e Infrastrukturës - Lutfi Zharku (LDK)


Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale - Arban Abrashi (LDK)


Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal – Lubomir Mariç (Lista Serbe)


Ministria për Komunitete dhe Kthim – Aleksandar Jabllanoviç (Lista Serbe)


Ministria e Administratës Publike - Mahir Yagcilar (KDTP)


Ministra pa portofol do të jenë: Edita Tahiri dhe Rasim Demiri


Kjo përbërje e Qeverisë së re, u votua nga 73 deputetë, nga gjithsejtë 113 sa ishin prezent në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të martën më 9 dhjetor 2014.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme