Greqi – Në 17 dhjetor, votimi i parë për presidentin

Në kuadër procesit të zgjedhjeve presidencale votimi i parë do të zhvillohet më 17 dhjetor 2014, deklaroi zëdhënësja e qeverisë, Sofia Vultepsi.

Greqi – Në 17 dhjetor, votimi i parë për presidentin

Kryeministri grek, Antonis Samaras dhe nënkryetari i qeverisë Evangjelos Venizelos, pasi informuan presidentin e republikës, Karolos Papulias, kërkuan nga kryetari i parlamentit që të avancojë sa më shpejt procesin e zgjedhjeve presidencale dhe votimi i parë të zhvillohet më 17 dhjetor 2014, deklaroi zëdhënësja e qeverisë, Sofia Vultepsi.

Në deklaratën e saj, ajo vuri në dukje se Eurogrupi ka afirmuar përpjekjet dhe arritjet e Greqisë dhe ra dakord për një “ndryshim faqeje” edhe për kalimin e Greqisë në kuadrin e ri institucional të linjës preventive të kreditimit (ECCL).

Eurogrupi ra gjithashtu dakord se gjithë procedurat përkatëse duhet të jenë finalizuar brenda dy muajve të parë të vitit 2015.

Ndërkohë, Stavros Dimas do të jetë kandidati për president republike në tre votimet, bëri të ditur kryeministri Antonis Samaras, i cili e komunikoi kandidaturën nëpërmjet një mesazhi televiziv.

“Zgjedhja e presidentit të republikës ishte shndërruar kohët e fundit në një pretekst për provokimin e zgjedhjeve të parakohshme. Dhe kështu, ndërsa në pikëpamje ekonomike ishim stabilizuar dhe kishim hyrë më në fund në një kurs zhvillimi, u krijuan sërish retë e destabilitetit politik brenda në Greqi dhe të një pasigurie politike për Greqinë jashtë vendit. Ashtu siç ishte e obliguar të bënte, qeveria jonë vendosi ta largojë këtë pasiguri dhe të vendosë plotësisht stabilitetin politik, duke përshpejtuar procedurën e zgjedhjes së presidentit të Republikës”, deklaroi Samaras.

”Përzgjodhëm bashkë me nënkryetarin e qeverisë kandidaturën më të mirë për Presidencën e Republikës. Ai është Stavros Dimas, ish-ministër dhe deputet, komisioner i Greqisë në Bashkimin Europian, ku pati nderime të veçanta, posaçërisht në fushën e ndjeshme të mbrojtjes së mjedisit, një njeri që nderohet nga shoqëria greke, por edhe respektohet nga komuniteti ndërkombëtar dhe që sigurisht do të jetë kandidat në të tre votimet, nëse do të nevojiten. Stavros Dimas pranohet përgjithësisht nga të gjithë si një njeri që bashkon, por edhe inspiron. I bashkon qytetarët përtej preferencave partiake dhe insipron seriozitet, besim dhe respekt”, theksoi Samaras.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme