Shqipëri - Rama uron Kryeministrin e ri të Kosovës, Isa Mustafa

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, uroi sot Kryeministrin e ri të Kosovës, Isa Mustafa për emërimin e tij në këtë detyrë.

141679
Shqipëri - Rama uron Kryeministrin e ri të Kosovës, Isa Mustafa

Kryeministri Rama ndër të tjera në letër thekson se, “emërimi në funksionin e lartë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës është pa dyshim një moment me rendësi për Ju dhe mbarë vendin”.

Letra e Kryeministrit Edi Rama për Kryeministrin e ri të Kosovës Isa Mustafa:

Zoti Kryeministër,

I dashur Isë,

Emërimi në funksionin e lartë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës është pa dyshim një moment me rendësi për ju dhe mbarë vendin. Është kënaqësi e veçantë t’ju përcjell, me këtë rast, urimet më të mira për sukses në detyrën e lartë, që ju është mirëbesuar.

Marrëdhëniet tona janë marrëdhënie mes vëllezërish e njëherazi gur themeltar partneriteti strategjik për të ardhmen. Këto marrëdhënie unike në llojin dhe historinë e tyre, rajoni dhe zhvillimi i tij i qëndrueshëm i kërkon sa më solide, frytdhënëse dhe paqeformuese. Shqipëria dhe Kosova duhet të mbeten një binom pionier për perspektivat më shpresëdhënëse në Ballkan dhe shembulli i gjallë i një integrimi të dëshiruar dhe të merituar në Bashkimin Evropian.

Cilatdo qofshin vështirësitë, që do të mund të shfaqen, kam bindje të fortë se në bashkëpunim me qeverinë e re të koalicionit, të drejtuar prej jush, realizimi i prioriteteve të agjendës së përbashkët do të përshpejtohet. Në këtë proces historik, ne jemi të inkurajuar e të mbështetur fuqishëm edhe nga platforma e Samitit të Berlinit.

Ju e dini se për autoritetet kosovare dera e Kryeministrit të Shqipërisë mbetet gjithmonë e hapur. Në një kohë sa më të përshtatshme për ju, vizita e Kryeministrit të Kosovës në Tiranë do të ishte më se e mirëpritur.

Me konsideratë të veçantë,

Sinqerisht,

Edi Rama

Sh.T.Z. Isa Mustafa

Kryeministër i Republikës së Kosovës

Prishtinë


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme