Gjosha: Synimi final i Ballkanit Perëndimor, anëtarësimi në BE

"Ballkani Perëndimor ka si synim final anëtarësimin në Bashkimin Evropian", ka deklaruar sot ministrja shqiptare e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha.

Gjosha: Synimi final i Ballkanit Perëndimor, anëtarësimi në BE

Ministrja e Integrimit Evropian të Shqipërisë, Klajda Gjosha, priti sot në një vizitë kortezie ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Federatës Ruse në Shqipëri, Aleksandër Karpushin. Bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe u ndalën në rëndësinë e intensifikimit të tyre sidomos në sferën ekonomike.

Ministrja Gjosha u shpreh se për Shqipërinë procesi i integrimit është prioritet kombëtar dhe vuri theksin tek bashkëpunimi rajonal me të cilin ndahet e njëjta aspiratë. “Shqipëria luan një rol mjaft pozitiv në rajon duke nxitur bashkëpunimin dhe fqinjësinë e mirë. I gjithë Ballkani Perëndimor ka si synim final anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe ne jemi të bindur se duke zbatuar projekte të përbashkëta mundemi të përshpejtojmë këtë përpjekje madhore”, tha ministrja Gjosha.

Ambasadori rus vlerësoi procesin e integrimit të Shqipërisë duke nënvizuar se kjo perspektive do të shërbejë në forcimin e mëtejshëm të demokracisë brenda vendit. “Ky proces ju mundëson rritjen e standardeve të jetesës të qytetarëve tuaj, ndaj ne e vlerësojmë si me mjaft rëndësi, mbi të gjitha përpjekjet tuaja për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin”, u shpreh ambasadori rus.

Bashkëbiseduesit nënvizuan se asnjë pikëpamje e ndryshme nuk mund të pengojë marrëdhëniet në fushën ekonomike, të cilat duhet të bazohen mbi parimin e të mirës së përbashkët të dy vendeve. Ambasadori rus theksoi se Shqipëria ka mjaft potenciale të cilat duhen shfrytëzuar dhe historia e deri tanishme mes dy vendeve ka treguar se mund të thellohen në fusha të tilla si turizmi, energjetika e infraskturktura e bujqësia.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme