Data e seancës konstituive të Kuvendit saktësohet brenda javës

Nga takimi i mbrëmshëm i kryetarit të PDK-së Hashim Thaçi dhe kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa paralajmërohet se data e vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës do të saktësohet brenda javës.

Data e seancës konstituive të Kuvendit saktësohet brenda javës

Kryetarët e dy partive më të mëdha të vendit, pas pajtimit në parim për koalicionin ndërpartiak, mbrëmjen e 19 nëntorit, u takuan mbrëmë “për të përcaktuar veprimet konkrete për themelimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”.

“Në këtë takim, të dy kryetarët e partive respektive, si partnerë të koalicionit, shprehën zotimin e tyre për të punuar në mënyrë intensive për t’iu dhënë qytetarëve të Kosovës institucione të besueshme, të afta për të çuar përpara agjendën e zhvillimit ekonomik, sundimin e rendit dhe ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe procesin e integrimeve euro-atlantike”, bëhet e ditur në deklaratën e përbashkët të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Theksohet se, gjatë ditëve në vijim, Grupet e punës të PDK-së dhe LDK-së do të takohen intensivisht për përmbylljen e marrëveshjes politike dhe harmonizimin e programit të ardhshëm qeverisës.

“Finalizimi i marrëveshjes për koalicionin qeverisës ndërmjet PDK-së dhe LDK-së do të bëhet gjatë ditëve në vijim. Gjithashtu, brenda javës do të saktësohet edhe data e vazhdimit të seancës për zgjedhjen organeve udhëheqëse të Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë”, paralajmëron deklarata.

Ndërsa shtypi i sotëm kosovar në një kryetitull paralajmëron se, “institucionet krijohen para festës kombëtare”, duke theksuar se, “ puna rreth ndarjes së pushtetit ndërmjet LDK-së dhe PDK-së pas arritjes së pajtimit për bashkëqeverisje, është pranë finalizimit. Kjo do t’i hapë rrugë thirrjes së seancës konstituive, e cila pritet të bëhet nga kryesuesja Flora Brovina më së largu të enjten”.

Shtohet se, megjithëse emrat e titullarëve të ministrive mbahen sekret, edhe kundërthëniet rreth postit të kryeministrit po vazhdojnë.

“Ndërsa LDK-ja thotë se Isa Mustafa është i pakontestueshëm, për PDK-në kjo çështje ende nuk është vendosur. Sipas analistëve, posti i kryeministrit është jetik për karrierën politike të Isa Mustafës, sepse në të kundërtën ai nuk do të mund t’i bëjë ballë fuqizimit të ndonjë lideri të ri.

Zyrtarë të LDK-së kanë paralajmëruar se marrëveshja është e zbatueshme vetëm me Mustafën në krye të qeverisë. Në anën tjetër, kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, në vazhdimësi refuzon të thotë se ka hequr dorë nga posti i kryeministrit”, shkruan “Koha Ditore”.

Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, ka thënë se debati po zhvillohet me partnerin e koalicionit, por jo edhe në PDK.

“Jemi duke biseduar me LDK-në për pozita udhëheqëse dhe jo ende në PDK”, ka thënë Kuçi.

Ndërsa, gazeta “Tribuna” me titullin “Brovina: Seanca para 28 nëntorit” shkruan se, koalicioni PDK- LDK shumë shpejt do të udhëzojë kryesuesen e seancës konstituive Flora Brovina për thirrjen e seancës. “Fillimisht seanca kishte mbetur peng i marrëveshjes ndërmjet subjekteve politike, mirëpo edhe tani kur është arritur marrëveshja, seanca ka mbetur peng i grupeve punuese nga të dy partitë të cilat janë duke e harmonizuar programin qeverisës dhe ndarjen e dikastereve”, thekson gazeta.

Drejtuesja e seancës, Flora Brovina, mos thirrjen e seancës e arsyeton me faktin se grupet e punës janë duke punuar. Ajo pret që sapo të dihet se kush do të jetë kandidati për këtë post do ta thërrasë seancën.

“Sa të mbarojnë grupet e punës punën e tyre do të thirret seanca dhe do të konstituohet Kuvendi. Shumë shpejt ndodhi marrëveshja dhe tani po presim të dimë se kush është kryetari dhe do ta votojmë. Të gjithë jemi gati dhe kur të merret vendimi nga Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike do të thirret seanca. Unë besoj që grupet punuese do të mbarojnë punën shpejt dhe nuk kemi çka me pritë më shumë”, citohet Brovina, në një prononcim për gazetën.

“Afër finalizimit”, është kryetitulli po në faqen e parë, ku bëhet e ditur se, “grupet e punës të PDK-së dhe LDK-së janë duke punuar në ndarjen e dikastereve, por edhe në harmonizimin e programit, sipas të cilit, do të qeveriset vendi në 4 vjeçarin e ardhshëm. Anëtarë të këtyre grupeve nuk kanë dashur të zbulojnë se deri në cilin nivel kanë arritur punët, por kanë thënë se në tre- katër ditët në vazhdim do të konkretizohet gjithçka dhe koalicioni do të jetësohet, sepse marrëveshja ekziston”.

“Kërcënon LDK: Isa kryeministër, ose tërhiqemi”, është titull po ashtu në faqen kryesore të gazetës “Zëri”, ku theksohet se, “Isa Mustafa është kandidati i vetëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër të vendit. Kështu thonë zyrtarë të partisë së dytë më të madhe në vend, sipas të cilëve posti i kryeministrit i takon Mustafës dhe ky është ‘Pazar’ që është kryer me marrëveshjen për bashkëqeverisje që kanë arritur liderët politikë javën që lamë pas. Në të kundërtën, LDK-ja ‘kërcënon’ partnerin e koalicionin PDK-në se nëse nuk e merr udhëheqjen e Qeverisë, atëherë do të shqyrtohet mundësia e tërheqjes nga koalicioni”.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme