Kosovë - LDK: Do kemi Kryeministrin, të parin në 5 zgjedhje

“Sipas marrëveshjes së arritur, LDK-së do t’i takojë posti i Kryeministrit të vendit, ndërsa postet ministrore do të ndahen në mënyrë të barabartë”, bën të ditur kjo parti në një komunikatë zyrtare.

201594
Kosovë - LDK: Do kemi Kryeministrin, të parin në 5 zgjedhje

Sipas LDK-së, kjo parti për herë të parë në pesë palë zgjedhje në vitet e lirisë e të pavarësisë do të udhëheqë me qeverinë e Kosovës, pas marrëveshjes së koalicionit qeverisës me PDK-në, e cila ende nuk e ka konfirmuar se kush do jetë në krye të qeverisë së re, ndërsa grupet e përbashkëta të punës vazhdojnë takimet për axhendën, programin dhe strukturën qeverisëse, si dhe për ndarjen e përgjegjësive.

Menjëherë pas pajtimit në parim PDK-LDK për koalicionin ndërpartiak, të njoftuar zyrtarisht nga Presidenca mbrëmjen e 19 nëntorit, LDK në një komunikatë zyrtare theksonte se “sipas marrëveshjes së arritur, LDK-së do t’i takojë posti i kryeministrit të vendit, ndërsa postet ministrore do të ndahen në mënyrë të barabartë”.

Këtë e ritheksonte të nesërmen në mëngjes kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, duke u shprehur se “qeveria do të drejtohet nga LDK dhe ndarja e përgjegjësive në të gjitha nivelet do të jetë e barabartë”, ndërsa edhe ditëve në vijim dhe sot kështu deklaruan zyrtarë të lartë partiakë.

Kryetari i PDK-së dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka konfirmuar se pas marrëveshjes së koalicionit grupet e punës të PDK-së dhe LDK-së janë takuar për të harmonizuar çështjet programore, para thirrjes së vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit javën e ardhshme dhe se “është duke u punuar në mënyrë intensive”.

“Shpresoj që shumë shpejt do të përmbyllet edhe kjo çështje dhe gjithçka është e qartë, duke e respektuar plotësisht marrëveshjen e arritur mes PDK-së, LDK-së dhe partnerëve minoritarë, që do të jenë si pjesë e ardhme e ekzekutivit dhe ndërtimit të gjitha institucioneve, pra legjislative, ekzekutive dhe presidenciale”, deklaroi Thaçi pasditen e djeshme.

Ndërlidhur me këtë deklaratë, shtypi i sotëm kosovar me kryetitull “Thaçi i vë syrin Presidencës” thekson se “Hashim Thaçi ka përmendur postin (Presidencën e Kosovës) në kontekst të ndërtimit të institucioneve të reja pas marrëveshjes së arritur për koalicion mes partisë së tij dhe LDK-së”.

Ndërsa, “Arbër Vllahiu, këshilltar i presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk ka komentuar deklaratën e Thaçit për institucionin e presidentit, ndërkohë që edhe përfaqësuesit e dy partive të angazhuara në grupet e punës nuk kanë folur për mediat”.

“E çështja e Presidencës jo vetëm që është e lidhur me mandatin 5-vjeçar që i garantohet me Kushtetutën e Kosovës, por edhe se presidentja, Atifete Jahjaga, aty është vendosur me propozimin amerikan dhe me miratimin formal të Kuvendit të Kosovës”, shtohet më tej.

Në mëngjesin e pas mbrëmjes së marrëveshjes së koalicionit PDK-LDK, shtypi në Prishtinë paralajmëronte se Isa Mustafa do të jetë kryeministër i Kosovës, ndërsa Hashim Thaçi pas dy vjetësh president i Republikës, pas mandatit të presidentes aktuale.

PDK edhe pse ka qenë fituese në dy nga katër palë zgjedhjet e përgjithshme të para 8 qershorit 2014 nuk ka pasur asnjëherë postin e presidentit të Kosovës.

LDK nuk ka udhëhequr qeverinë as kur i ka fituar zgjedhjet, të parat dhe të dytat në Kosovën e lirë, ndërsa më pas në tre palë zgjedhje të tjera ka dalë parti e dytë, pas PDK-së, me të cilën ka qenë në koalicion-bashkëqeverisje dy herë dhe tani do jetë së treti pas zgjedhjeve të pesta.

Kryetari i komunës së Ferizajt, si dhe kryetar i Degës së LDK-së në këtë qytet, Muharrem Sfarqa, tha sot se koalicioni me PDK-në “rikthehet me format krejt ndryshe duke e marrë përsipër Lidhja Demokratike e Kosovës qeverisjen e vendit, pozicionin e kryeministrit, diçka që i ka munguar historisë më të re të Kosovës në këto 15 vite të pasluftës”.

“Gjithçka është e qartë, kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës do të jetë lideri i LDK-së, akademik Isa Mustafa”, u shpreh i sigurt ai.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme