Kosovë - Delegacioni i KQZ-së në konferencën në Ankara

Një delegacion i KQZ-së së Kosovës mori pjesë në konferencën “Administrimi dhe Mbikëqyrja e Zgjedhjeve në bazë të praktikave të vendit”, që u mbajt në Ankara.

Kosovë - Delegacioni i KQZ-së në konferencën në Ankara

Delegacioni i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga kryetarja Valdete Daka dhe anëtarët, Betim Gjoshi e Florian Dushi, me ftesë të Këshillit Suprem të Zgjedhjeve të Turqisë, mori pjesë në konferencën “Administrimi dhe Mbikëqyrja e Zgjedhjeve në bazë të praktikave të vendit”, që u mbajt në Ankara.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin zyrtarë zgjedhorë nga trupat e administrimit të zgjedhjeve të vendeve si Shqipëria, Azerbajxhani, Gjeorgjia, Sudani, Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia, bëhet e ditur në njoftimin e dërguar sot nga KQZ i Kosovës.

Qëllimi i konferencës ishte diskutimi dhe shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira ndërkombëtare zgjedhore.

Në konferencën dy ditore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës është prezantuar me referime mbi temat: “Metodat e zgjidhjes dhe aplikimit për kontestet zgjedhore (juridiksioni zgjedhor)”; “Mbikëqyrja e shpenzimeve të fushatës gjatë periudhës së fushatës zgjedhore”; “E drejta e votës – krijimi i Listës së Votuesve dhe konfirmimi”; dhe “Administrimi i zgjedhjeve (publikimi i rezultateve të votimit)”.

Kryetarja e KQZ-së, Daka, fillimisht prezantoi një historik të shkurtër të formimit të shtetit të Kosovës dhe rolin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si institucion i pavarur, i përcaktuar me Kushtetutë.

Duke folur para pjesëmarrësve nga shtete të tjera, lidhur me atë se çfarë ka bërë KQZ-ja e Republikës së Kosovës për të përmbushur obligimin kushtetutes që të gjithë qytetarët me të drejtë vote të mund të shprehin vullnetin e tyre, kryetarja Daka, përmendi shembullin se si personat e verbër dhe me të pamur të dobësuar mund të votojnë në ditën e zgjedhjeve, në vendvotimin e rregullt, në mënyrë të pavarur dhe duke ruajtur fshehtësinë e plotë të votës së tyre.

Kjo bëhet e mundur përmes shabllonëve në alfabetin Brail.

Nga të pranishmit, kjo konferencë u vlerësua si një mundësi e mirë për të përmirësuar praktikat zgjedhore të vendeve pjesëmarrëse, të cilat mund të shërbejnë në të ardhmen.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme