Mustafa: LDK-ja vendos sot për konstituimin e Kuvendit

Lidhja Demokratike e Kosovës ka një rol vendimtar në krijimin e institucioneve dhe do ta realizojë me marrje të përgjegjësisë, është shprehur lideri i saj Isa Mustafa.

Mustafa: LDK-ja vendos sot për konstituimin e Kuvendit

Lidhja Demokratike e Kosovës ka një rol vendimtar në krijimin e institucioneve dhe do ta realizojë me marrje të përgjegjësisë, shprehet lideri i kësaj partie, Isa Mustafa, duke paralajmëruar vendimin që krijon mundësitë sot në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, që pason takimin e djeshëm të Kryesisë e pastaj me kryetarët e degëve.

“Sot mbahet mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në të cilën do të vendosim të krijojmë mundësitë, që në harmoni me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të kritereve të deklaruara nga Presidentja e vendit dhe miqtë tanë ndërkombëtarë, ta konstituojmë sa më shpejtë Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe të zgjedhim Qeverinë”, shprehet ai.

Në këtë proces, vijon Mustafa, Lidhja Demokratike e Kosovës ka një rol vendimtar. “Këtë rol ne do ta realizojmë me marrje të përgjegjësisë, me sjellje të përgjegjshme dhe demokratike brenda forumit më të lartë të LDK-së, duke pasur parasysh situatën shumë të rëndë në të cilën po kalon Kosova, përkrahjen që e kemi nga Partitë Popullore Evropiane, në familjen e të cilave tani jemi, si dhe partneritetin, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian, të cilat kanë dhënë kontribut historik në çlirimin e vendit tonë dhe në ndërtimin e tij demokratik”, thekson Mustafa.

Lidhja Demokratike e Kosovës, sipas liderit të saj, sot do të ofrojë rolin e saj prijës në këtë proces dhe në qeverisjen e vendit, me mundësi të partneritetit me të gjithë ata që janë të vendosur për ndërtimin e shtetit ligjor, për zhvillim ekonomik, luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“LDK, si gjithmonë në situata të tilla, do të vë interesin e vendit në plan të parë dhe do të reflektojë fuqinë dhe rolin e saj të pazëvendësueshëm në ndërtimin dhe drejtimin e institucioneve të vendit.

LDK është vetëdijshme për klimën politike brenda anëtarësisë dhe strukturave të saj dhe për shumë vërejtje për qeverisjen e deritanishme të vendit. Ne shprehim përkushtimin tonë për një qeverisje të mirë. I mbetemi besnik parimit se uniteti dhe vlerat e LDK-së, kur janë në pyetje interesat madhore të vendit, vazhdojnë të shprehen si sintezë e një kulture demokratike të krijuar për shumë vite e jo të zërave të cilat kanë logjikë të interesave lokale apo promovimeve personale”, shkruan Mustafa në Facebook.

LDK, vijon ai, respekton dhe vlerëson lart partnerët e koalicionit paszgjedhor dhe mbetet e përkushtuar që në harmoni me rrethanat e reja të krijuara dhe kriteret për mandatimin e institucioneve të vendit të gjejë zgjidhje e cila është në interes të këtij partneriteti por edhe zgjidhje të cilat hapin mundësi reale për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme dhe funksionale.

“Qasja jonë do të jetë pozitive dhe konstruktive ndaj gjithë atyre që dëshirojnë të punojnë me ne për të përballuar shumë probleme me të cilat po ballafaqohen qytetarët tanë dhe për të krijuar e forcuar ura bashkëpunimi e integrimi në Bashkimin Evropian”, përfundon Mustafa.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme