Shqipëri - Parlamenti miraton në parim buxhetin e vitit 2015

Pas gati 13 orësh diskutimi në seancën plenare të Parlamentit të Shqipërisë, ku mungonte opozita, mazhoranca miratoi në parim me 77 vota pro buxhetin e vitit 2015.

Shqipëri - Parlamenti miraton në parim buxhetin e vitit 2015

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, duke i paraqitur Parlamentit buxhetin e vitit 2015, theksoi se pr/buxheti mbështet rritjen ekonomike pa masa shtrënguese.

“Eshtë një buxhet me disa standarde të mirëpërcaktuara dhe me disa zgjidhje realiste për një situatë, ku potencialet janë padyshim të mjaftueshme për të arritur objektivin tonë minimal të një rritje ekonomike përtej 4 % në fund të vitit të katërt të këtij mandati”, tha Rama.

Rama i është përgjigjur akuzave të opozitës në distancë për rritjen e taksave.

“Ky është një buxhet që vjen si rezultat i reflektimit të një pakete të re fiskale, që ul ose zeron 15 taksa, ndërkohë që rrit vetëm 3. Eshtë një Paketë Fiskale, që në kushtet e Shqipërisë, na jep mundësi që të stimulojmë prodhimin që të stimulojmë përpunimin në vend”, theksoi Rama.

Duke folur për taksën e qarkullimit, e cila u propozohet të rritet me 10 lek/litri, Kryeministri Rama tha se “kjo nuk është një dëshirë e qeverisë për të rënduar mbi ata të cilët përdorin makina, por ky është një kontribut i atyre të cilët përdorin makina, për të patur një vend më të mirë. Të gjitha ato investime që lidhen me rritjen e sigurisë në rrugë, që lidhen me rritjen e përmasës së gjelbër në akset e vendit tonë, janë të lidhura drejtpërdrejt me këtë kontribut minimal të gjithësecilit”, tha Rama.

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani u shpreh se buxheti i vitit 2015 realizon zbatim të programeve elektorale dhe të qeverisjes. Gjithashtu, sipas ministrit, ai ka në objektiv vendosjen e balancave makroekonomike dhe uljen e borxhit.

Në fjalën e tij, ministri Cani nuk kurseu as kritikat për qeverinë e shkuar, duke thënë se ulja e taksave nga paraardhësit ka qenë një mit jo një realitet, ndërsa shtoi se çdo shqiptari, qeveria e shkuar i dyfishoi borxhin.

Opozita ka bërë oponencën e buxhetit nga selia e Partisë Demokratike, ku deputetët e Komisionit të Ekonomisë diskutuan mbi draftin që ishte paralelisht në diskutim në Parlament. “Qytetarët do të paguajnë më shumë dhe nuk do të marrin asgjë”, tha deputeti Sherefedin Shehu.

Buxheti i vitit 2015 i rrit me rreth 49 miliardë lekë të ardhurat totale krahasuar me këtë vit, nga të cilat 16 miliardë vijnë nga rritja e taksave dhe pjesa tjetër nga rritja e ekonomisë dhe mirëadministrimi. Buxheti ul defiçitin buxhetor krahasuar me 2014, çka sipas qeverisë bën të mundur që vitin tjetër borxhi publik të ulet pas disa vitesh rritje. Buxheti 2015 është konsideruar si buxheti i reformave strukturore, për të përshpejtuar modelin e ri të zhvillimit të vendit, duke u përqendruar në disa nga sektorët më të rëndësishëm si: zhvillimi lokal dhe reforma administrative, energjia, bujqësia dhe reforma e ujit, inovacioni dhe shërbimet për qytetarët, rendi publik dhe siguria.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme