Rama: Një Ballkan në paqe dhe i begatë në të mirë BE

Kryeministri i Shqipërisë, ishte i ftuar në Samitin “Creative Time” në Stokholm, ku ai mbajti një fjalë të posaçme mbi të ardhmen e Ballkanit.

Rama: Një Ballkan në paqe dhe i begatë në të mirë BE

I ftuar në Samitin “Creative Time” në Stokholm Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama mbajti një kumtesë të posaçme në këtë aktivitet.

Në fjalën e tij përveç pjesës së kushtuar artit dhe politikës, Rama u ndal përsëri në vizionin që ai ka për të ardhmen e Ballkanit.

“Këtë javë ne festojmë fundin e Luftës së Parë Botërore, një lufte e cila filloi në Ballkan, u përhap nga një kontinent në tjetrin, duke kumtuar vdekjen dhe vuajtjen, diçka e vështirë për t’u përfytyruar nga brezi ynë. Dhe unë erdha tek ju këtu sot, pikërisht në javën në të cilën unë u bëra Kryeministri i Parë Shqiptar, që vizitonte Serbinë pas më shumë se 60 vjetësh. Një Ballkan paqësor dhe i begatë. Një Shqipëri e fortë, si pjesë e një Bashkimi Europian të fuqishëm. Janë këto penelatat e duhura të jashtëzakonshme, që unë dëshiroj t’i bëj pjesë të pikturës sime të madhe. Ky është një vizion që më frymëzon, më frymëzon që të punoj ditë e natë që ta bëj të ndodhë vërtet. Dhe këto dy pjesë të të njëjtit vizion shkrihen tek njëra tjetra”- u shpreh Rama gjatë fjalës së tij në Samitin Creative Time” në Stokholm të Suedisë.

Sipas kryeministrit Rama, një Ballkan në paqe dhe i begatë është e mira e Bashkimit Evropian sikurse dhe Bashkimi Evropian – përjashto ndonjë burokrat të rastit super të zellshëm – është e mira e Ballkanit. “Mendoni për forcat që i kanë hapur plagë Evropës. Racizimi, nacionalizmi, ksenofobia...së bashku ne mund t’i mundim ato. Së bashku ne mund të krijojmë hapësirën për shumëllojshmëri kulturash, besimesh dhe identitetesh që do të jetojnë përkrah njëri – tjetrit.”

“Sigurisht ne e dimë se ashtu si politika mund të sjellë ndryshimin, po kështu politika mund të pengojë ndryshimin. Ashtu si politika mund të sjellë paqen mes popujve, po ashtu ajo mund të sjellë konflikt. Në çdo hap të rrugës, ne përballemi me zgjedhje. Ashtu si një artist. Kjo ngjyrë, apo kjo tjetra, kjo furçë apo kjo tjetra. Ç’është kuadri të cilin ne po përpiqemi të pikturojmë? Dhe nëse ndonjëherë dikush prej jush do të vijë në Shqipëri, do të vijë të më takojë në zyrën time, e do të më shohë ndërkohë që jam duke shkarravitur, do t’i lutem te mos ndihet i fyer, siç ndodhi me atë tjetrin. Kjo është pjesë e asaj që unë jam. Dora që lëviz lirshëm, duke krijuar një hapësirë ku nuk duket të jetë asnjë, kjo nuk është një mënyrë e keqe për të menduar se si të bëjmë përpara”- ka përfunduar Rama fjalën e tij në Samitin “Creative Time” .


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme