Vetëvendosje u kërkon gjilanasve bojkotimin e produkteve serbe

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, u ka bërë thirrje të premten qytetarëve të kësaj komune që të bojkotojnë produktet e Serbisë.

Vetëvendosje u kërkon gjilanasve bojkotimin e produkteve serbe

Me parullat “Bojkoto produktet e Serbisë”, “Blej shqip”, “Produktet e Serbisë për Kosovë janë të dyshimta”, “Ata po kërkojnë vrasjen e shqiptarëve, ne po ua mbushim arkën me para”, “Dëmtoje Serbinë, ndihmoje Kosovën”, e të tjera, Vetëvendosje në këtë aktivitet, në krye me aktivistin Yll Islami, kanë nxjerrë shifra që nxjerrin shtetin serb si përfitues të madh ndër vite nga produktet e veta, që i ka shitur në Kosovë, njofton “KosovaPress”.

“Nga viti 2002 deri në vitin 2013 nga Serbia tregtarët tanë i kanë importuar 2 miliardë e 600 milionë euro produkte serbe. Në vitin 2011 nga Serbia janë importuar mbi 75 milionë euro, në vitin 2012 mbi 81 milionë euro, kurse në vitin 2013 janë importuar 91 milionë e 161 mijë euro”, citohet të ketë thënë Islami.

Ai tutje shtoi se Serbia, ndër të tjera, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe vazhdon të financojë strukturat e veta kriminale, që çdo ditë e më shumë po e bëjnë të pamundshëm funksionimin e shtetit të Kosovës.

“Serbia e ka edhe të kaluarën edhe të tashmen kriminale ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Vetëm gjatë luftës së fundit në Kosovë vrau mbi 14 mijë shqiptarë, i dëboi mbi 800 mijë, vazhdojnë të jenë të zhdukur mbi 1.700, dhunoi mbi 20 mijë gra e vajza, vodhi artefaktet dhe fondin e pensioneve, etj. Kurse tash, në Serbi po i djegin furrat dhe shtëpitë e shqiptarëve. Konsumi i produkteve të Serbisë, është financim i minimit të shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë”, tha Islami.

Sipas aktivistit Islami, duke konsumuar produktet e Serbisë, me një veprim i shkaktojmë dy dëme: një produkt i Serbisë i blerë më shumë, është një produkt i shitur më pak nga prodhuesit vendorë, është një hap më pak drejt zhvillimit të brendshëm; një produkt i Serbisë i shitur më shumë është një shtytje për ta forcuar shtetin, që e lufton vendin tonë.

Prandaj, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga qytetarët që t’i bojkotojnë produktet e Serbisë, që nga kjo të zhvillohen e të rriten produktet vendore e që të mos e ndihmojnë ekonominë e një shteti, që është armiqësor ndaj Kosovës.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme