Rivarrimi i Isa Boletinit do të bëhet më 28 nëntor

Isa Boletini (1864- 1916), ishte atdhetar i shquar i kombit shqiptar, strateg popullor dhe organizator e udhëheqës i lëvizjeve për çlirim e bashkim kombëtar.

Rivarrimi i Isa Boletinit do të bëhet më 28 nëntor

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës (MKRS), Memli Krasniqi, dje ka pritur familjarët e Heroit Kombëtar, Isa Boletinit, kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtirin dhe drejtorin e Departamentit të Mjekësisë Ligjore në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, Arsim Gërxhaliun, thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Qëllimi i takimit ishte njoftimi i Ministrit Krasniqi me detajet dhe rezultatet e procedurës së identifikimit të eshtrave të Isa Boletinit, si dhe përgatitjet për ceremoninë e rivarrimit të mbetjeve mortore, të njërës ndër figurat më emblematike të kombit shqiptar.

Gjatë takimit, Ministrit Krasniqi iu prezantua raporti i Departamentit të Mjekësisë Ligjore i nënshkruar nga drejtori Arsim Gërxhaliu, me të cilin vërtetohet se, eshtrat e sjella në Kosovë në vitin 1998 nga Mali i Zi, janë të heroit Isa Boletini.

Realizmin e analizave të ADN-së në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Shkup dhe në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Universitetin e Strasbourgut, financiarisht e ka përkrahur MKRS-ja ndërsa, në analizat përfundimtare, kanë ndihmuar edhe ekspertët e EULEX-it.

Sipas raportit të hartuar nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore, nga 8 mbetje kockore të sjella nga Mali i Zi, përveç vërtetimit se një palë janë të Isa Boletinit, është theksuar se një palë tjetër janë të Jonuz Ahmet Boletinit, nipit të Isa Boletinit kurse për 6 palë tjera, ende nuk është vërtetuar identiteti.

Pasi që Departamenti i Mjekësisë Ligjore tashmë ka vërtetuar se mbetjet mortore janë të Isa Boletinit dhe mbetjet tjera janë të njërit prej nipave të Isa Boletinit, Ministri Krasniqi gjatë takimit tha se, është koha të kalohet në fazën tjetër.

“Unë i falënderoj të gjitha institucionet që kanë punuar deri tash në mënyrë profesionale në finalizimin e këtij procesi, që ka nisur para 3 vjetësh. Pas raportit të sjellë nga zoti Gerxhaliu ne biseduam për fazën tjetër të punës që është përgatitja e ceremonisë së rivarrimit të heroit tonë Isa Boletinit. Duke e ditur simbolikën dhe si kërkesë e familjarëve të Isa Boletinit, është vendosur që ceremonia të mbahet me datë 28 Nëntor 2014”, ka thënë ministri Krasniqi, duke shtuar se gjithçka tjetër sa i përket ceremonisë do të vendoset në fillim të javës së ardhshme.

Duke marr parasysh se, figura e Isa Boletinit është gjithëkombëtare, ministri Krasniqi u deklarua se, për organizimin e ceremonisë do të ketë koordinim dhe bashkëveprim edhe me institucionet e Republikës së Shqipërisë.

Në emër të familjes Boletini, nipi i Isës, Gazmend Boletini falënderoi ministrin Krasniqi dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për përkushtimin e treguar në gjithë këtë proces dhe njëherësh u zotua se familja do të angazhohet maksimalisht në përgatitjen e ceremonisë së rivarrimit.

Isa Boletini (1864- 1916), ishte atdhetar i shquar i kombit shqiptar, strateg popullor dhe organizator e udhëheqës i lëvizjeve për çlirim e bashkim kombëtar. Ai u lind në fshatin Boletin, afër Mitrovicës. Isa Boletini ishte i pashkolluar, mirëpo ishte njeri i guximshëm dhe luftëtarë i madh i cili bëri nam me sukseset e tij. Gjatë Luftës Ballkanike, në tetor 1912, ishte udhëheqës i çetave të armatosura vullnetare për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga okupatorët serbë. Në vitin 1912, në ditët e pavarësisë së Shqipërisë, ai u vu në krye të përfaqësuesve të Kosovës dhe u ndodh përkrah Ismail Qemalit në Vlorë, kur me 28 nëntor u shpall pavarësia e Shqipërisë. Isa Boletini u vra më 23 janar 1916, nga xhandarët malazez, në urën e Ribnicës,në mal të Zi.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme