Dita e Republikës së Turqisë u festua edhe në Kosovë

29 Tetori, Dita e Republikës së Turqisë u festua edhe në Kosovë, me një ceremoni të organizuar nga Ambasada e Turqisë në Prishtinë, ku morën pjesë autoritetet më të larta të Kosovës dhe trupi diplomatik i akredituar në vend.

Dita e Republikës së Turqisë u festua edhe në Kosovë

Ceremonia filloi me intonimin e himnit kombëtar të Republikës Turke dhe të Republikës së Kosovës. Më pastaj, ambasadorja e Turqisë në Kosovë Songyl Ozan foli për rëndësinë e datës në fjalë. Ajo potencoi rëndësinë e kësaj date për turqit, por që këtë herë po kalon me shpirtra të lënduar, për shkak të tragjedisë së minatorëve.

 “Të gjithë mendjen e kemi në Turqi, inshallah ndodh ndonjë mrekulli në mënyrë që të marrim lajme të mira nga 18 minatorë”, tha ambasadorja. 

Nën drejtimin e liderit Mustafa Kemal Ataturkut, Republika e Turqisë shpalli pavarësinë para rrafsh 91 vjetëve dhe sot është bërë një shtet modern, demokratik dhe i përparuar, potencoi ambasadorja Ozan.

 Duke iu falënderuar të gjithë atyre të cilët kontribuuan në organizimin e mbrëmjes, ambasadorja Ozan foli edhe për bashkëkombësit e saj që jetojnë prej shumë vitesh në Kosovë.

 “Ju të nderuar bashkëkombës, si shtetas të Kosovës që jeni, këtij shteti po i ofroni shërbime me shumë vlerë. Por në të njëjtën kohë, ndërmjet Turqisë e Kosovës po ndërtoni atë që është më me vlerë, ura bashkëpunimi mes miqsh. Këtu, jeni duke i përjetësuar tiparet më të bukura të gjuhës e kulturës turke” tha Ozan.

 Në vazhdim të fjalimit, ambasadorja Ozan, lexoi edhe urimin e kryeministrit Erdoan për nder të 91-vjetorit të Republikës.

 Nga ana e tij, ministri turk në qeverinë e Kosovës, Mahir Jaxhëllar, tha se festa e pavarësisë është e rëndësishme për çdo popull, për çdo shtet.

 “Përveç popullit turk që jeton në Turqi, kjo festë është e rëndësishme edhe për Turqit që jetojnë jashtë tij. Në themelimin dhe në rritjen e shtetit turk, e kujtojmë me mirënjohje liderin Mustafa Kemal Ataturkun me shokët e tij të luftës”, - tha Jaxhëllar.

 Ambasadorja e SHBA-ve Tracey Ann Jacobson poashtu uroi festën e pavarësisë së Turqisë, të gjithë turqve në Turqi e në Kosovë.

 “Ndihem shumë e lumtur që ndodhem këtu për të festuar së bashku këtë ditë dhe u them të gjithë turqve në Turqi si dhe në Kosovë, shumë urime Ditën e Republikës”, - u shpreh ambasadorja amerikane në Prishtinë.

 Kurse kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, në emër të qeverisë së Kosovës, uroi shtetin dhe popullin turk. Ai falënderoi në përkrahjen e vazhdueshme të shtetit turk.

 Kryeministri Thaçi potencoi marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të dy shteteve, duke kujtuar se Turqia ishte ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. 

 Duke nënvizuar për marrëdhëniet e afërta me kryeministrin Erdoan, Thaçi tha se marrëdhëniet do të vazhdojnë duke u ngritur, si mes dy popujve, ashtu edhe mes dy shteteve.

 Edhe ministri i jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj theksoi rëndësinë e kësaj dite për Turqinë mike.

 Ai me këtë rast uroi popullin turk, shtetin dhe qeverinë turke.

 Ministri Hoxhaj theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të dy shteteve, si dhe potencoi përkrahjen e vazhdueshme të Turqisë në pavarësinë e Kosovës.

 “Kjo është një ditë shumë e veçantë për Republikën e Turqisë, që është një ditë mik i Kosovës dhe ne i dëshirojmë popullit turk, shtetit turk dhe qeverisë turke shumë suksese dhe të gjitha të mirat në punët që po i bën, kjo tregon edhe për miqësinë që i kanë popujt tanë dhe Turqia është një prej vendeve e cila vazhdimisht e ka mbështetë pavarësinë e Kosovës dhe bashkëpunimi mes qeverive tona është jashtëzakonisht i mirë”, cilësoi shefi i diplomacisë së Kosovës.

 Edhe kryetari i komunës së Mamushës Arif Bytyc shprehu urimet me rastin e kësaj feste duke thënë se ndihet i lumtur në këtë ditë. Po ashtu festimi i kësaj dite jashtë shtetit të Turqisë, e bën atë të ndihet krenar.

 Në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe ministri i shëndetësisë Ferid Agani, i cili bëri të ditur se ishte duke përjetuar gëzim të dyfishtë, për shkak se njëkohësisht atë ditë e kishte edhe datëlindjen.

 “Festa e Republikës së Turqisë njëkohësisht është edhe festë e shqiptarëve të Kosovës. Gëzimi i popullit turk është edhe gëzim i popullit shqiptar. Uroj që miqësia shekullore mes dy popujve, të vazhdojë duke u forcuar”,- tha Agani.

 M.Saragjolli / Prishtinë


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme