Prodi: Të përshpejtohet hyrja e Shqipërisë në BE

Ish-Kryetari i Komisionit Evropian dhe ish-kryeministri i Italisë Romano Prodi, ka deklaruar sot në Tiranë se Shqipëria duhet të bëhet sa më shpejt anëtare e Bashkimit Evropian.

Prodi: Të përshpejtohet hyrja e Shqipërisë në BE

Prodi, këtë mesazh e ka dhënë në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Shqipëri. Nga konferenca “Shqipëri-Itali, partneritet me Europën”, zoti Prodi tha se duhet të ketë një përshpejtim të procesit të integrimit nga vendet që tashmë e kanë statusin e vendit kandidat, ku bën pjesë edhe Shqipëria…dhe kjo sipas tij realizohet duke sheshuar konfliktet e brendshme politike dhe duke pasur bashkëpunim për “detyrat” kyçe që Komisioni Europian i ka vënë vendit tonë.

“Vendet kandidate si Shqipëria duhet te vrapojnë dhe duhet një përshpejtim i procesit sepse ka një urgjencë për të përshpejtuar rritjen dhe zhvillimin ekonomik. Dhe kjo vjen vetëm nëse je pjesë e Bashkimit Europian. Për këtë arsye është e nevojshme të ketë unitet politik të brendshëm. Sidomos për sa i përket luftës kundër korrupsionit e krimit te organizuar. Pra është një proces kompleks. Në këto rajone problemi etnik është i dukshëm sepse kufijtë nuk tregojnë popullsinë e një vendi. Por unioni europian për këtë është, për zhdukjen e kufijve. Dhe Italia me Austrinë ka pasur këtë problem, por u zhdukën me anëtarësimin e Austrisë. Dhe në njëfarë mënyre Europa është bashkim minorancash, dhe ato duhen të konservohen. Duhet të qetësojmë vendet që duhet të hyjnë, por edhe vendet që janë pjesë. Nuk duhet të ketë vende periferike dhe qendrore. Europa duhet të jetë një harmonizim progresiv dhe i thellë”, – u shpreh ish-presidenti i Komisionit Europian.

Dita e dytë e Konferencës “Shqipëri-Itali, partneritet me Europën” u zhvillua në formën e një leksioni që ish-presidenti i Komisionit Europian, zoti Romano Prodi dha para studentëve të Universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë”. Të pranishëm gjithashtu ishin personalitete të larta të politike, nga mazhoranca e opozita.

“Debati për kufijtë e Europës është i vështirë. Madje kur kam qenë president e kam ngritur çështjen disa herë për të caktuar kufijte e BE në Parlamentin Europian, dhe s’e ka pranuar parlamenti. Për Shqipërinë nuk diskutohet pjesa që është në BE. Ka filluar prej kohesh një diskutim për Turqinë, por situata ka ndryshuar shumë nga fillimi kur ishte ky diskutim. Sepse Turqia u kthye në një fuqi rajonale. Dhe me ndryshimin e politikës së Jashtme ka sjellë hezitime. Për Ukrainën e them qartë se s’do jetë ndonjëherë në BE, sepse është një vend që s’mund të jetë as rus as në BE. Ndërsa për Ballkanin s’ka diskutime që e ardhmja është në BE”, tha Prodi.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme