Kosova në muajin e gjashtë pa Parlament funksional

Kosova është në muajin e gjashtë pa Parlament funksional, që nga 7 maji, kur në një seancë të jashtëzakonshme deputetët me 90 vota pro, 4 kundër dhe 3 abstenime, vendosën vetëshpërndarjen e Legjislaturës së Katërt të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kosova në muajin e gjashtë pa Parlament funksional

Ky vendim u pasua me shpalljen e menjëhershme dhe mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme, vetëm një muaj më pas, në 8 qershor, por tashmë Kosova është në muajin e pestë pa përfunduar seancën konstituive të Kuvendit të nisur e të ndërprerë në 17 korrik, të vazhduar në 18 shtator e përsëri të ndërprerë, të thirrur për 2 tetor me agjendë për të tretën herë zgjedhjen e Kryetarit e nënkryetarëve, por të shtyrë dhe ende pa datë zyrtare për vazhdimin të caktuar nga kryesuesja, deputetja më e vjetër, Flora Brovina.

Zgjedhja në 17 korrik pas ndërprerjes së seancës konstituive nga kryesuesja, me 65 vota pro dhe 18 abstenime, e kandidatit të koalicionit paszgjedhor LDK-AAK-Nisma, Isa Mustafës, për Kryetar të Kuvendit, është anuluar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Më 18 shtator, seanca konstituive sërish u ndërpre pasi kandidati i koalicionit parazgjedhor të PDK, Arsim Bajrami mori 44 vota pro, të pamjafueshme për t’u zgjedhur Kryetar i Kuvendit të Kosovës, pasi duhen së paku 61 vota të Kuvendit 120 anëtarësh.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në shtatë raunde të takimeve të ndara ka këruar nga liderët e të gjitha partive politike parlamentare, si dhe nga deputetët e Parlamentit të Kosovës, “që të gjejnë zgjidhje më shpejt për kapërcimin e ngërçit politik, ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme, për të shmangur çdo mundësi të futjes së vendit qoftë në krizë më të thellë, qoftë në zgjedhje të parakohshme”.

Megjithatë, sipas deklaratave të liderëve, ende nuk ka ndryshime në pozicionet e qëndrimet e tyre për gjetjen e një zgjidhje në situatën kur koalicioni parazgjedhor, fitues i zgjedhjeve, ka të drejtën për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, por nuk ka numrin e mjaftueshëm të votave, ndërsa koalicioni paszgjedhor ka votat dhe kërkon të drejtën për të zgjedhur “në përputhje me vullnetin e shumicës parlamentare”.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme